×
  • Lajme
  • Insajderi Video
  • Insajderi / Insajderi

    Përtej Asociacionit, çfarë pranoi Kurti në Bruksel?

    Insajderi
    02 March 2023 - 13:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ishte i kënaqur të njoftonte se liderët janë pajtuar në plotëni për planin evropian për normalizim të marrëdhënieve.

    Nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth planit, njoftoi Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

    “Që të dy liderët treguan sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje. Dhe jam i kënaqur të lajmëroj se Presidenti Vuçiq dhe Kryeministri Kurti sot janë pajtuar se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth propozimit të BE’së”, tha Borrell të hënën

    Ky takim nuk prodhoi nënshkrim, por pajtim. Teskti i marrëveshjes u pranua, për të vazhduar diskutimet e mëtejme për Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes.

    Njohje në të nuk kishte.

    Neni 7 u paraqit si pika më e pagëlltitshme në opinionin publik, ku pajtohet për dhënien e një niveli të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb, ndërsa Neni 10 përmban Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

    Por çfarë realisht është pranuar në këtë marrëveshje?

    “Janë dy Nene problematike të cilat janë nenet që e ndërtojnë autonominë, dhe kjo autonomi ka me qenë përtej Asociacionit qoftë të viteve 2013, qoftë 2015. Neni 7 përmend “vetëmenaxhimin”. Mirëpo, kur përmendet “Vetëmenaxhimi” nuk është mbrapa epiteti lokal. Flitet vetëm për “vetëmenaxhimin e komunitetit serb”. Që i bjen se komuniteti serb po merr element që shkon përtej dispozitave të planit të Ahitisaarit, do të thotë që po bëhet element shtet-formues. Kjo është jashtëzakonishme problematike, duke e marrë parasysh që përveç kësaj në Nenin 10 është edhe Asociacioni. Pra, në Nenin 7 e kemi ndarjen etnike dhe paralelizmin, dhe në Nenin 10 e kemi e kompetencat dhe territorializimin, që është përmes Asociacionit. Do të thotë, dy elemente thelbësisht të dëmshme i kemi me këtë marrëveshje”, thotë Zgjim Hyseni nga Partia Socialdemokrate për Insajderin.

    Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës shprehen se nuk e kanë të qartë për çfarë është pajtuar Kryeministri Kurti. Por, një gjë që është e qartë, sipas tyre, është se është devijuar nga një marrëveshje finale me njohje në qendër, në një marrëveshje të përkohshme me Asociacionin në qendër.

    “Fatkeqësisht qasja avantureske e Kryeministrit Albin Kurti në muajt e fundit na ka sjellur në një situatë ku ne kemi një marrëveshje të përkohshme me Asociacionin në qendër dhe jo vetëm. Kemi aty edhe një Nen 7 i cili është shumë problematik, dhe thënë të drejtën i cili ende nuk e dimë sakt se çfarë nënkupton; mbetet të shihet në planin e zbatimit i cili duket se nuk është dakorduar ende dhe i cili nuk është bërë ende publik. Mirëpo aty flitet për një autonomi për komunetin serb që është përtej Asociacionit dhe flitet për një status të veçantë të Kishës Ortodokse Serbe”, thotë Vlora Çitaku për Insajderin.

    Për Zgjim Hysenin, plani evropian për normalizim të marrëdhënieve normalizon vetëm mosnjohjen dhe e përjetëson dialogun.

     “Zoti Kurti në fakt i ka pranuar të gjitha, pa përjashtim. Prej mënyrës se si është zhvilluar diskutimi kuptohe që krejt brenga e tij është qysh me inxhinieru pranueshmërinë e tij në publik; pranueshmërinë e planit frankogjerman; si me e bë atë të pranueshëm për publikun. Dialogu është më shumë marrëdhënie me publikun sesa luftë për të fituar territor njëra palë ose tjetra. Në planin frankogjerman që po quhet plan për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi normalizohet mosnjohja. Përmes këtij, për herë të parë Kosova pranon që së së paku për dhjetë vitet e ardhshme, së paku, nuk do të kërkojmë më njohje prej Serbisë”, tha ai.

    Nga PDK kërkojnë që kategorik është ruajtja e karakterit unitar dhe sekular i shtetit.

     “Ne shpresojmë që Kryeministri Kurti të vijë në Parlament dhe t’u sqarojë deputetëve se çfarë nënkupton Neni 7, po rikthehem sepse kjo është ajo risia në këtë marrëveshje. Çfarë nënkupton Neni 7 dhe për çfarë autonomie po flitet, çfarë statusi të Kishës Ortodokse Serbe po flitet. Kemi dronë se kemi të bëjmë me një skenar të ngjashëm me atë të Malit të Zi çfarë ndodhi para pak kohësh dhe për çfarë modeli evropian të autonomisë po flitet. A po flitet për diçka si Tiroli, nuk e kemi të qartë se çfarë ka negocuar Kryeministr dhe të sqarojë. Është shumë e rëndësishme që të ruhet karakteri unitar dhe sekular i Republikës së Kosovës, sikurse që është e rëmdësishme që të kemi një marrëveshje e cila ofron më shumë qartësi e jo kaq shumë dykuptimësi”, thotë ai

    Zgjim Hyseni beson se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e posedon legjitimetin e nevojshëm për të nënshkruar këtë marrëveshje çfarë është.

    “Kontradikta e Kurtit në raport me qëndrimet e mëhershme tashmë nuk është kurrgjë e re. Metamorfoza që ka pësuar Kurti edhe subjekti i tij e ka tejkaluar tërë trajektorin. Sot ne nuk e dimë çka është tamam Vetëvendosja, por e dimë sakt çka nuk është; nuk është kurrgjë çfarë ka qenë para se të vjen në pushtet. Çka ia vlen jashtëzkakonisht shumë m’e përmend është që Kurti nuk ka legjitimitet ta nënshkruajë këtë marrëveshje. Janë dy mënyra se si mund të del prej kësaj situate”.

    “Nuk e pranojmë asnjë arsyetim të presionit. Nëse ki presion atëherë pyeti njerëzit nëse ata janë në gjendje të ta pranojnë këtë koncesion përmes zgjedhjeve, e nëse jo atëherë në Kosovë munden m’eu miratu Ligji për Referendumin edhe njerëzit m’eu shpreh thjeshtë për këtë marrëveshje. Përndryshe, nëse asnjërën prej këtyre nuk e konsideron ne nuk ka më me bë vlerësim objektiv se sa ka e pas e sa nuk pas fuqi negociuese Kosova. Thjesht kjo parti e ky lider është tu e bë këtë gjë vetëm për një arsye, për të vazhduar dhe mbajtur pushtet. Kjo marrëveshje është për me rujt pushtetitn dhe asgjë më shumë”, thotë mes tjerash ai./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark