×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Përveç Mehdi Halimit, këta janë 15 ambasadorët e tjerë “të preferuar” të Donika Gërvallës (Dokument)

    Insajderi
    20 February 2023 - 16:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Janë plotë 16 ambasadorë të Kosovës nëpër misione të ndryshme diplomatike që janë duke e shkelur rregulloren e MPJD-së sa i përket pagesës për qira të objektit të banimit. Për njërin nga ta Gazeta Insajderi ka raportuar ekskluzivisht. Insajderi, ju sjell edhe emrat e 15 ambasadorëve në rastin e të cilëve është duke u bërë tejkalim i shumave në mënyrë të kundërligjshme.

    Kryediplomatja Donika Gërvalla-Schwars ka vendosur të shkel rregullat e ministrisë në favor të 17 ambasadorëve. Ajo ka lejuar që nga 47 misione diplomatike, në 17 prej tyre të kalohet limiti i pagesës për qira. Por kaq zemër gjerë ministrja nuk u tregua me diplomat, Viskont Jakupin të cilin e detyroi brenda 24 orëve të kthehet në Kosovë, meqë nuk gjente banesë në përputhje me çmimin e lejuar.

    Rregullorja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës përcakton saktë se deri në çfarë çmimi i lejohet një ambasadori të marrë qira për një objekt banimi. Më saktësisht një shefi të diplomacisë i lejohet të paguajë deri në 2400 euro për vendbanim.

    Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë shpenzimet e qirave për objektet e banimeve të shefave të diplomacisë për periudhën janar-shtator 2022.

    Shpenzimet e qirave të ambasadorëve

    Nga analizimi i listës del se prej 16 prej tyre MPJD po bën shkelje, gjegjësisht po kryhen pagesa më të larta mujore sa sa lejohet për banim.  

    Listës i prinë ambasadori i Kosovës në Paris, Mehdi Halimi, për shkeljet e të cilit Gazeta Insajderi ka raportuar ekskluzivisht. Pas Halimit, vije ambasadori i Kosovës në Londër, i cili paguan qira në vlerë prej 4 mijë e 175 euro, që i bie, kundërligjshëm paguhen plus 1 mijë e 775 euro më.

    Pas Kapitit, renditet ambasadori i Kosovës në New York City, Frymëzim Krasniqi, i cili për çdo muaj nga buxheti i shtetit jep plotë 4 mijë e 90 euro, apo 1 mijë e 690 euro më shumë.

    Mbi 3 mijë euro për qira të banimit, paguhen për ambasadorët në Doha të Katarit, në Berlin, Oslo, Washington e Otavë.

    Faruk Ajeti në Berlin 3.830 euro, (1.430 më shumë)

    Ilir Dugolli në Washington 3.743 euro, (1.343 euro më shumë)

    Nita Luci në Oslo 3 mijë 454 euro, (1054 më shumë)

    Fuad Morina në Doha të Katarit 3 mijë e 439 euro, (1.039 euro më shumë)

    Adriatik Kryeziu në Otavë 3.200 euro, (800 euro më shumë)

    Ministrja Gërvalla bën shkelje të rregullores kur paguhen edhe qirat për shefat e diplomacisë në Romë, Vjenë, Bruskel, Toronto, Abu Dabi, Bernë, Jerusalem e Stokholm.

     Ines Demiri Jerusalem  2.900 euro, ( 500 euro më shumë)

     Shkëndije Geci-Sherifi Stokholm  2.900 euro, (500 euro më shumë)

    Agron Bajrami Bruksel 2.650 euro, (250 euro më shumë)

    Lulzim Pllana Vjenë 2.623 euro, (223 euro më shumë)

    Lindita Haxhitasimi Romë 2 mijë e 600 euro, (200 euro më shumë)

    Sedat Burrniku Toronto 2.500 euro, (100 euro më shumë)

    Sami Ukelli Bernë 2.500 euro, (100 euro më shumë)

    Xhabir Hamiti Abu Dabi 2.467 euro, ( 67 euro më shumë)

    Vlen të theksohet se në rastin e ambasadorit të Kosovës në Athinë, Fitim Gllareva, MPJD paguan 4 mijë e 200 euro, por që në këtë çmim hynë banesa si dhe zyra në Greqi, të cilat ndodhen në të njëjtin lokacion.

    Ndërkohë, qiraja më e ulët është e ambasadorit të Kosovës në Strugë, Agim Krasniqi, për të cilin shteti paguan vetëm 800 euro.

    Nga buxheti i shtetit të Kosovës nuk paguhet qiraja veç për banesën e shefit të misionit në Ankara, Agon Vrenezi, shpenzimet mbulohen nga vet shteti nikoqir, Turqia.

    Ka më shumë se një muaj që kur Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje/sqarim nga ministria e Gërvallës mbi shpenzimet e ambasadorëve, por të njëjtit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark