AFP
Nga mandati i dytë i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, deri te një kalendar i stërmbushur i futbollit…
Këto janë pesë gjëra që do ta veçojnë 2025-shin:
Në ditët pas fitores së tij bindëse në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump emëroi disa prej të propozuarve të tij për të formuar kabinetin e tij të ardhshëm në Shtëpinë e Bardhë, para inaugurimit të tij më 20 janar.
Me një listë që përfshin skeptikun e vaksinave, Robert F. Kennedy Jr si sekretar të Shëndetësisë, dhe Elon Muskun si bashkëdrejtues të një departamenti të efikasitetit qeveritar, ka shqetësime se çfarë mund të nënkuptojë një mandat i dytë i Trumpit për SHBA-në dhe për botën.
Ceremonia e betimit të tij para ndërtesës së Kongresit amerikan në Uashington nënkupton kalimin e pishtarit nga Joe Biden, 82-vjeçar, te Trumpi, i cili është dy vjet më i ri se paraardhësi i tij, por do të bëhej presidenti më i vjetër amerikan në histori në fund të mandatit të tij katërvjeçar.
A mund të jetë 2025-shi viti kur emetimet tona të gazrave serrë do të ndalin rritjet e tyre të vazhdueshme nëpër botë?
Hulumtuesit po shohin shenja nga ndotësi më i madh në botë, Kina, përgjegjëse për 30 për qind të emetimeve globale, ku emetimet e dyoksidit të karbonit parashihet të rriten fare pak këtë vit.
Glen Peters, nga Global Carbon Project, thotë se CO2 i emetuar nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit nëpër botë mund të arrijë kulmin në disa vitet e ardhshme.
Kjo ndotje nga karboni është nxitësja kryesore e ndryshimeve gjithnjë e më të rrezikshme klimatike.
Por, edhe nëse rritja arrin kulmin, Ignacio Arroniz Velasco, nga qendra analitike E3G, thotë se vendet nuk mund t’ia lejojnë vetes të “relaksohen”, por duhet të zvogëlojnë shpejt emetimet e tyre për të arritur neutralitet karboni.
A mund të teprohet e mira? Më 2025, çështja e futbollit të tepërt dhe e stërlodhjes së futbollistëve pritet të dominojë mes një kalendari të stërmbushur.
Kupa e Botës për Klube, e zgjeruar me 32 pjesëmarrës, do t’i presë lojtarët në verë, kur ata zakonisht pushojnë nga ligat shtetërore.
Ajo do të mbahet pas një sezoni veçanërisht të ngarkuar, ku edhe Liga e Kampionëve – gara kryesore evropiane e klubeve – është zgjeruar në një format të ri.
E gjithë kjo është pjesë e një trendi në futboll për të shtuar numrin e ndeshjeve të nivelit të lartë – Kupa e ardhshme e Botës më 2026 do të presë edhe 16 shtete shtesë, gjë që do ta rrisë numrin e ndeshjeve nga 64 në 104.
Edhe Arabia Saudite do të tërheqë vëmendje, teksa organizatorja e Kupës së Botës 2034 po fut më shumë para në lojë, me pasoja të mundshme transformuese.
Kundërthënie të tjera që pritet të shkaktojnë shkëndija përfshijnë përdorimin vazhdueshëm të teknologjisë VAR, e dashur dhe e urryer njëkohësisht nga lojtarët, tifozët dhe analistët.
Grumbullimi më i madh i njerëzimit në planet do të ndodhë nga 13 janari deri në fund të shkurtit, kur dhjetëra miliona do të mbulohen me petale trëndafilash dhe hi të shenjtë në një festival të jashtëzakonshëm hindu në brigjet e shenjta të lumenjve të Indisë.
I klasifikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) si trashëgimi kulturore botërore, megafestivali i njohur si Kumbh Mela mbahet çdo tre vjet.
Ai do të mbahet ndërmjet katër vendeve të shenjta, në ujërat e lumenjve Gang dhe Jamuna, të cilët konsiderohen ndër më të shenjtit e hinduizmit.
Më 2025, festivali do të zhvillohet në qytetin Prajagraj. Herën e fundit kur festivali u mbajt atje, më 2013, ai tërhoqi 120 milionë njerëz.
Në njërën anë, djemtë e këqij të Britpop-it, në anën tjetër fytyrat e njoma të dashura të K-Popit.
Edhe Oasis, edhe BTS pritet të kthehen në skenë më 2025, për t’i kënaqur admiruesit e tyre, pas pauzave për arsye shumë të ndryshme.
I udhëhequr nga vëllezërit Gallagher, Liam dhe Noel, Oasis do të kthehet pasi një konflikt më 2009 – njëri nga shumë të tillë – çoi në ndarjen 15-vjeçare të grupit.
Bendi prapa “Wonderwall” dhe “Champagne Supernova”, këngë që u bënë si himne në vitet ’90, do të nisen në turne botëror, që do të fillojë në Britani, për të vazhduar drejt Amerikës Veriore dhe asaj Jugore.
Në nxitimin fillestar për të blerë bileta nga faqet zyrtare, shumë admirues që nuk arritën t’i siguronin ato kërkuan burime alternative – duke çuar në mashtrime të shumta me bileta.
Krejt ndryshe do të jetë në Korenë e Jugut, ku bendi BTS premton të ribashkohet në qershor, pasi anëtarët e tij të kryejnë shërbimin e obligueshëm ushtarak.
Është kthimi që miliona admirues dhe një industri e tërë prej miliarda dollarësh po e pret me padurim.
Ekspertët thonë se kthimi i megayjeve në skenë dhe në jetën publike mund të rrisë popullaritetin e kulturës koreanojugore në botë.