Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur këtë mbrëmje kryeqytetin turk, Ankaranë. Shpërthimi ka ndodhur gjatë kalimit të një numri automjetesh të shërbimit ushtarak, ndërsa semafori i kuq i kishte bërë të ndalonin.
Vendi i ngjarjes është në qendër të Ankarasë, ku gjenden shumë objekte shtetërore dhe ushtarake. Jo shumë larg vendit ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm gjendet dhe parlamenti turk.
Raportet flasin për një makinë-bombë, por ende nuk ka të dhëna të qarta mbi atë se çfarë e shkaktoi shpërthimin, e me gjasa bëhet fjalë për një akt terrorist nga rebelët kurdë apo ISIS-i.
Kryeministri i vendit, Ahmet Davutogllu, ka njoftuar për marrjen e lajmit dhe për nisjen e hetimeve. Forca të shumta sigurie kanë rrethuar ndërkohë zonën, e ambulanca të shumta gjenden në vendngjarje.
Prefektura e Ankarasë sapo ka njoftuar për 28 të vdekur e dhjetra të plagosur nga shpërthimi. Shpërthimi i kësaj të mërkure pason atë të pak javëve më parë në Stamboll, një akt terrorist ku humbën jetën e u plagosën dhjetëra persona.
Një akt i tillë i mori jetën 10 personave pas shpërthimit të një bombe në Stamboll, në janar të këtij viti.