×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Peticion e ankesa – banorët e lagjes në “Veternik” denoncojnë shkollën e familjarëve të Ahmet Shalës

    Insajderi
    19 September 2023 - 15:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Familjarët e ish-ministrit dhe ish-ambasadorit Ahmet Shala kanë hapur një shkollë në lagjen “Veternik” në kryeqytet. Por, kundër këtij biznesi janë ngritur tashmë banorët e kësaj lagje. Ata i kanë shkruar letra Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama e Ministrisë së Arsimit. Kanë bërë edhe një peticion kundër shkollës. Po ankohen për zhurmë e cenim të privatësisë. Insajderi sjell dokumentet e këtij denoncimi të banorëve. Është biseduar edhe me drejtues të shkollës, familjar të ish-Ambasadorit Shala.

    Ish-Ambasadori dhe ish-ministri në Qeverinë e Hashim Thaçit, Ahmet Shala jo rrallë herë e ka shpërndarë në profilin e tij biznesin privat, “German School of Kosova” që gjendet në lagjen “Veternik” përkatësisht në rrugën “Rilindja”.

    regjistrin e bizneseve kjo shkollë figuron në emër të Kushtrim Shalës, familjar i Ahmet Shalës, që dikur ka mbajtur edhe pozitën e njeriut kryesor në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, që u bë më vonë Agjencia e Privatizimit.

    Por, ky biznes, edhe pse shkollë, nuk po del që është i mirëseardhur nga banorët e lagjes. Për më shumë, të njëjtit kanë deponuar ankesë në Komunën e Prishtinës që drejtohet nga Përparim Rama e në Ministrinë e Arsimit që drejtohet nga Arberie Nagavci.

    Zhurmë e cenim i privatësisë së banorëve, janë disa nga pretendimet e tyre kundër këtij biznesi.

    Një banor madje ka dërguar në redaksinë e Gazetës Insajderi edhe një video.

    Një tjetër banor ka përcjellur pamje nga salloni i shtëpisë dhe qartazi shihet sa afër shtëpisë ndodhet shkolla, shihen edhe nxënësit pranë.

    Zhurmë e distancë – banorët kërkojnë privatësi

    Kërkesa e banorëve që nga muaji maj i këtij viti për të marrë masa ndaj shkollës private “German School of Kosova” është dërguar disa herë në adresë të komunës së ministrisë. Nuk janë përgjigjur.

    Ministra e Arsimit e Komuna e Prishtinës përgjigje nuk i kanë kthyer as Insajderit ani pse qysh të hënën pyetjet janë përcjellur.

    Kërkesa e tyre përveç në mënyrë virtuale përmes email-ve, është dërguar edhe fizikisht në mënyrë të protokolluar.

    24 banorë të kësaj lagje, me emër e mbiemër kanë nënshkruar peticionin, ku kërkohet mbyllja e kësaj shkolle private. Në aneksen e tyre mes tjerash se pronarët e shkollës kishin tentuar edhe ta rrisin kuadratin e objektit, duke e penguar kështu direkt një komshi të tyre.

    Mirëpo, sipas banorëve falë insistimit të tyre që në bashkëpunim me Inspektoratin nuk e kanë lejuar edhe këtë veprim të shkollës së familjarëve të ish-ambasadorit.

    Banorët thonë që meqë nuk iu lejua ky veprim, pronarët në mënyrë ilegale, pa pëlqimin e komshinjve “i kanë hapur dritaret e shkollës në drejtim të komshinjve në largësi prej 1 metër, duke atakuar direkt privatësinë e tyre, nuk mund të rrinë fare në dhomën ditore, dhe në dhomë të gjumi pa perde të trasha”, thuhet tutje në ankesën e tyre përcjell në redaksi të Insajderit.

    Zhurma e cila bëhet në këtë oborr të shkollës, duke filluar nga ora 8:00 h e mëngjesit e deri në ora 16:00 h e bëjnë të pamundur jetesën në këtë lagje të qetë”, vijon ankesa e tyre.

    Ne banorët e lagjes “Veternik” nuk jemi kundër shkollave, ne jemi pro shkollave por në vendin e duhur pa dëmtuar privatësinë e njëri-tjetrit”.

    Më poshtë gjeni edhe peticionin e banorëve:

    “Banorë jo-bashkëpunues, jemi në rregull me dokumentacion”

    Kushtrim Shala, drejtor i biznesit “German School of Kosovo” në prononcim për Insajderi ka konfirmuar se objekti është në proces të legalizimit, por që proceduralisht janë në rregull.

    Me të gjitha jemi në rregull, mundeni me u drejtu në ministri në komunë pa pikë problem. Objekti është në proces të legalizimit prej 2010-ës. Është shteti janë organet dhe munden me u drejtu ku të kanë qef edhe ne çka do që mundemi me bë për mos me pengu jo veç ata po kërkon hiç, ideja jonë nuk është me pengu dikën por me bë më të mirën të mundshme për komunitetin”, u shpreh ai.

    Shala ka thënë se janë të pajisur me lejet e nevojshme për të funksionuar.

    “Patjetër që kemi licencë për funksionim, nuk mundesh me operu pa të”.

    I pyetur nëse kanë marrë pëlqimin e banorëve, ai ka vlerësuar se nuk është i nevojshëm, për më tepër i quan jo bashkëpunues.

    “Nuk kemi pasur nevojë për një pëlqim paraprakë prej banoreve, janë institucionet gjegjëse ku duhet merren pëlqimet edhe lejet”, ka deklaruar ai.

    “Drejtën me të tregu nuk jam merr me ta (banorët), jam merr fillimisht por nuk merrem më, se kam pa që nuk janë bashkëpunues dhe si të tillë nuk kam çka me bisedu me ta”, potencoi Shala.

    Drejtori i këtij biznesi është pyetur edhe mbi lidhjet e tij me ish-ambasadorin, Ahmet Shala por i njëjti ka refuzuar të japë përgjigje mbi lidhjen e tyre, veçse deklaroi se “nuk ka të bëjë asgjë me këtë punë”.

    Ata munden me pretendu çka kanë qejf, Ahmet Shala nuk ka lidhje në këto çështje hiç, ska as ide as kurgjo. Unë jam pronari i biznesit qysh jam edhe tek Cambridge edhe të Cambridge Kids, ne jemi këtë biznes që 30 vite”, ka deklaruar Shala.

    /GazetaInsajderi          

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark