Insajderi
Lajme

Peticioni për shkarkimin e rektorit të Universitetit “Fehmi Agani” dorëzohet në MASHTI, Bunjaku flet për Insajderin

Insajderi
22 January 2026 - 14:55
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Peticioni për shkarkimin e rektorit të Universitetit “Fehmi Agani” dorëzohet në MASHTI, Bunjaku flet për Insajderin
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një grup anëtarësh të stafit akademik të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë kanë dorëzuar një peticion, duke kërkuar shkarkimin e rektorit, Drilon Bunjaku.

Grupi prej 35 anëtarësh të stafit akademik kanë nënshkruar peticionin e drejtuar Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), si dhe Këshillit Drejtues, duke kërkuar ndërhyrje.

Sipas peticionit, rektori Bunjaku ka cenuar funksionimin ligjor të universitetit dhe nuk përfaqëson më komunitetin akademik.

Lidhur me këtë, në një përgjigje për Insajderin, rektori Drilon Bunjaku tha se peticioni në fjalë nuk ka fuqi juridike.

“Sipas legjislacionit në fuqi dhe Statutit të Universitetit ‘Fehmi Agani’ në Gjakovë, rektori emërohet dhe shkarkohet vetëm përmes procedurave të përcaktuara qartë, konkretisht me votim në Këshillin Drejtues dhe me shumicën e kërkuar ligjore. Është e rëndësishme të sqaroj se procedura formale për shkarkimin e rektorit është iniciuar dhe ka përfunduar me votim në Këshillin Drejtues më datë 12.12.2025, por ka dështuar, pasi nuk janë siguruar votat e nevojshme sipas Statutit. Ky është një fakt zyrtar dhe i dokumentuar”, ka thënë ai.

Anëtarët e Këshillit Drejtues kishin kërkuar më herët dorëheqjen e tij, por pasi kjo nuk ka ndodhur, stafi akademik i është drejtuar MASHTI-t për ndërhyrje emergjente.

Cilat ishin ankesat e Këshillit Drejtues?

Anëtarët e Këshillit Drejtues të zgjedhur nga Senati i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë kishin denoncuar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe organet e brendshme të universitetit, për gjendjen e krijuar brenda institucionit, duke akuzuar rektorin Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku për një varg shkeljesh, shkruan Insajderi.

Këshilli Drejtues ka listuar një numër gjetjesh që, sipas tyre, përbëjnë një “dosje të plotë të keqmenaxhimit”.

Aty përfshihen tejkalime të mëdha buxhetore, ndërhyrje në punën e organeve qeverisëse, manipulim të të dhënave, shkelje të procedurave akademike, centralizim të kompetencave, presion ndaj anëtarëve të Këshillit, si dhe dëmtim serioz të integritetit institucional.

Mes problemeve me të theksuara është tejkalimi drastik i buxhetit në disa kategori, ku disa zëra arrijnë mbi 900% dhe madje 1,040% të buxhetit të aprovuar. Po ashtu, theksohet se universiteti është aktualisht pa asnjë prorektor, ndonëse një gjë e tillë është e detyrueshme me Statut.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark