Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar sot vendimin për riemërimin e Petrit Ajetit në pozitën e drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë edhe për një mandat pesëvjeçar.
Vendimi, sipas Haxhiut, është marrë në koordinim të plotë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke vlerësuar punën e deritanishme të Ajetit në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës në vend.
“Ky vendim pasqyron besimin tonë në profesionalizmin, integritetin dhe lidershipin e tij në mbrojtje të sigurisë kombëtare, si dhe në forcimin e institucioneve tona të sigurisë. Gjatë këtij takimi, e falënderuam z. Ajeti për punën e shkëlqyer dhe përkushtimin e treguar gjatë mandatit të kaluar”, ka deklaruar Haxhiu.
Petrit Ajeti ka shërbyer si drejtor i AKI-së që nga prilli i vitit 2021. Ai ishte emëruar asokohe nga ish-presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, duke zëvendësuar pozicionin e mbetur vakant për disa kohë./Insajderi