×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Pezullimi jashtëligjor i certifikatës së Klan Kosovës

    Insajderi
    20 June 2023 - 23:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    E gjitha nisi të martën e 13 qershorit, kur një faqe interneti publikoi një shkrim nën kategorizimin EKSKLUZIVE “Kompania që ka në pronësi Klan Kosovën, e regjistruar në Maqedoni si investim nga Serbia, me adresë ‘Djakovica, Serbia’”.

    Lajmi ngrehte pretendimet se investitori i Klan Kosovës “KGO Media Investments Dooel”, pronë e Kushtrim Gojanit, ishte regjistruar me pasaportë serbe në shtetin e Maqedonisë së Veriut”, madje vetëm pse ai përdori këtë dokument, portali që është pronë e Jeton Sopës, një ish-kameraman që hapi portalin e tij në majin e vitit 2022, pretendonte se i gjithë investimi në Klan Kosova është nga Serbia.

    Ani pse të gjitha dokumentet e regjistrimit të Klan Kosovës në Kosovë, në ARBK janë dokumente të Republikës së Kosovës.

    Sidoqoftë pa kaluar një ditë e plotë, organet shtetërore u vunë në përndjekje të medias më të madhe në vend, e me nguti nxorën një vendim për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

    Pronarit lajmi do t’i kumtohej pak minuta para orës 18 të së mërkurës, kur një telefonatë e marrë nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, do ta thërriste në një takim drejtorin e KGO-së, Kushtrim Gojanin, për t’ia bërë me dije se shteti po e pezullonte certifikatën e biznesit të medias.

    E paralelisht me takimin, MINT-i e shpërndau njoftimin për pezullimin e licencës, duke theksuar se “Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda, në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj shoqërisë tregtare ‘KLAN KOSOVA’ SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike”.

    Ky vendim i marrë pasditën e së mërkurës nga MINT-i nuk ishte në rregull, pasi baza ligjore, në të cilën u mor vendimi, nuk kishte të bënte fare me Ligjin për Shoqëritë Tregtare. Në fakt numri i ligjit, i vendosur që ishte Nr. 06/L-116, dërgonte te dokumenti i ligjit për “ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 05/L-090 për sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”.

    Madje edhe nenet e cekura të ligjit ishin gabim. MINT-i tha se vendimin e tij e bazoi në nenin 10 të ligjit, i cili në fakt flet për përgjegjësitë e drejtorit të ARBK-së.

    Për më tepër, Ligji për Shoqëri Tregtare nuk e njeh fare termin pezullim, ani pse në vendimin e 14 qershorit, MINT-i thotë se pezulloi certifikatën e Klanit.

    Megjithëse në rastin e Klanit kemi të bëjmë me një dokument që u përdor në një shtet tjetër nga investitori, i cili sipas MINT-it bie ndesh me juridiksionin e Kosovës, atëherë bazuar po në ligjin që u thirr kjo ministri, në nenin 21 shpjegohen qartë procedurat që do të duhej që ARBK-ja t’i ndiqte.

    Aty theksohet se ARBK-ja mund t’i korrigjojë gabimet e saj në çdo kohë, e po ashtu edhe një Shoqëri Tregtare mund t’i korrigjojë gabimet e saj në çdo kohë me paraqitjen e kërkesës gjegjëse në ARBK.

    MINT-i sidoqoftë të nesërmen e korrigjoi vendimin e tij mbi pezullimin e certifikatës, duke e ndryshuar vetëm nenin e cekur.

    Ky vendim krijoi amulli rreth së ardhmes së Klanit, madje edhe KPM-ja, e cila realisht është institucioni i vetëm që ka të drejtën e licencimit të një mediumi, u ndodh para një situate emergjente.

    Andaj të nesërmen, në një mbledhje të jashtëzakonshme, bordi i KPM-së u mblodh për të mos e thënë asnjë fjalë deri të premtën, kur në takimin e rregullt vendosi që Klanit t’i japë afatin e caktuar ligjor për të rregulluar dokumentacionin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark