Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj katër zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës Betim Reçica, Besnik Hajdari, Ramë Qupeva dhe Nebi Luzha, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë realizimit të kontratës për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale e rajonale. Kontrata e iniciuar fillimisht me një vlerë të parashikuar prej 500 mijë eurosh, përfundoi me pagesa totale prej mbi 5.3 milionë eurosh – një fryrje prej më shumë se dhjetëfishit.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, njoftoj sot se zyrtarët, ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim pozitë, janë pezulluar nga detyra.
Sipas Bashës, rasti ka të bëjë me kontratën për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe regjionale, në vitet 2017-2019.
“Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe buxheti nuk mund të trajtohet ndryshe përpos sipas procedurave dhe rregullave të parapara. Për çfarëdo informacioni, organet e drejtësisë do ta kenë bashkëpunimin tonë të plotë” shkroi Basha në Facebook.