
Kompania që e kishte çuar peshë shtetin e Kosovës me mashtrimin me insulina është zhytur edhe në një aferë tjetër. Ka tentuar që të mashtrojë edhe me pajisje të hemodializës.
Tentim mashtrimi i ri është vërejtur nga Spitali “Isa Grezda”, në Gjakovë. Prokurimi i këtij spitali e ka denoncuar këtë firmë në OSHP. Kanë kërkuar që të përjashtohet nga pjesëmarrja në tenderët publik.
OSHP ka mbështetur kërkesën e tyre. Ka vendosur që kjo firmë të futet në listë të zezë.
Përjashtimi vlen për një periudhë një vjeçare.
Çka thuhet në vendimin e OSHP’së?
Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka diskualifikuar për një vit kompaninë “Pharma Leader” nga pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit për shkak të prezantimit të dokumenteve të falsifikuara në tenderin për “Furnizim me aparatura të Hemodializës”.
Spitali Regjional “Isa Grezda” Gjakovë në qershor të vitit 2023 kishte dërguar në OSHP kërkesën që të ndërmerren masat ndaj operatorit ekonomik “Pharma Leader LLC” pasi kishte vërejtur se kjo kompani kishte paraqitur të dhëna të rrejshme lidhur me kapacitetin e pajisjes në kontratën e ofruar.
“AK- Spitali Regjional “Isa Grezda” Gjakovë në kërkesën e datës 26. 06. 2023, ka kërkuar qe te aplikojë nenin 99 par 2 të LPP-së, ndaj Operatori Ekonomik “Pharma Leader” L.L.C, pasiqe sipas tyre ka paraqitur të dhëna të rreme ose dokument të falsifikuar, pasiqe OE Pharma Leader L.L.C sipas kërkesës së AK-së, në DT dhe Njoftimin për kontratë në ofertë kishte paraqitur katalogun e pajisjes me te cilin ka ofertuar të Dialog+ të brendite B. Braun. Në këtë katalog ishin paraqitur të dhënat e pajisjes se hemodializes, ndër to edhe të dhënat për transportation rate, dhe kapaciteti i pajisjes sipas këtij katalogu ishte: 50 to 600 ml/min, ndërsa në specifikat teknik të dosjes së tenderit nga AK ishte kërkuar që pajisja të ketë kapacitetin nga minimumi 30 deri në 600 ml/min” sqarohet në vendimin e OSHP’së, përcjell Insajderi.
Në arsyetimin e ventimit të OSHP’së sqarohet se si Spitali Regjional “Isa Grezda”- ka kërkuar sqarim nga kompania lidhur me dyshimet e tyre për mashtrim.
Pas hulumtimit të tyre, thuhet se në ridërgimin e katalogut të kërkuar- parametrat e pajisjes janë ndryshuar nga parametrat të cilat i kishte dërguar kompania në fjalë përmes sqarimit të ofertës.
Pas shqyrtimit të ankesës së Spitalit të Gjakovës- Paneli Shqyrtues i OSHP’së i ka konsideruar si të qëndrueshme pretendimet e tyre duke ardhur deri tek vendimi për marrjen e këtyre masave ndaj kompanisë “Pharma Leader”
MSH kishte denoncuar “Pharma Leader” në Prokurori për falsifikim të dokumente për tenderin e insulinave