Fizioterapisti, Altin Berisha, ka ngritur një alarm serioz për pasojat fizike që po sjell përdorimi i tepruar i telefonave, tabletave dhe kompjuterëve, veçanërisht tek të rinjtë.
Ai ka paralajmëruar se qëndrimi i përkulur për orë të tëra mbi pajisjet elektronike po çon në një gjendje të quajtur hiperkifozë – një lakim i tepërt përpara i shtyllës kurrizore të sipërme, që dikur shihej kryesisht tek personat e moshuar.
“E ardhmja e një brezi: Hiperkifoza nga përdorimi i tepërt i ekranit. Po dëshmojmë një trend shqetësues – qëndrimi i një brezi që riformësohet nga ekranet”, ka shkruar Berisha.
Sipas tij, orët e gjata të qëndrimit të përkulur mbi telefon apo kompjuter shkaktojnë tendosje të vazhdueshme në muskujt e shtyllës kurrizore, shpatullave dhe qafës.
Me kalimin e kohës, kjo sjell deformime të dukshme trupore, të njohura ndryshe si “qafa teknologjike” – një pamje e përkulur përpara që tashmë po bëhet e zakonshme tek adoleshentët dhe të rinjtë.
Por Berisha thekson se problemet nuk janë vetëm estetike. “Përtej pamjes, pasojat janë më të thella: dhimbje kronike, kapacitet i zvogëluar i mushkërive, kompresim nervor dhe dëmtime afatgjata muskuloskeletale”, ka sqaruar ai.
Mjekët, sipas tij, po paralajmërojnë se nëse këto deformime të qëndrimit nuk trajtohen dhe nuk parandalohet sjellja e gabuar trupore, ato mund të kthehen në një nga problemet më të përhapura të shekullit XXI, të shkaktuara nga stili i jetesës moderne.
Berisha e përmbyll mesazhin e tij me një apel të qartë për publikun, veçanërisht për të rinjtë.
“Është një epidemi e heshtur e epokës sonë dixhitale – një tekst, një rrotull, një përkulje në të njëjtën kohë. Ju bëjmë thirrje që ta korrigjoni pozitën tuaj, që të mos keni kësi deformime më vonë.”