Komisioni Evropian ka publikuar sot raportin për progesin që kanë bërë gjatë një viti vendet e Ballkanit.
Në pjesën për Kosovën theksohet se vendi duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale në “zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara” të arritura në kuadër të dialogut me Serbinë dhe të “kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
KE-ja po ashtu vë theksin te situata në veri të Kosovës, sa i përket korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes dhe thuhet se situata në këtë pjesë është ende sfiduese.
Bashkimi Evropian nënvizon se Kosova ka disa nivel të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit, por që janë në fazë të hershme.
“Gjatë periudhës së raportimit, është bërë përparim i kufizuar, përfshirë edhe hetimet dhe gjykimi i rasteve të nivelit të lartë”, thekson KE-ja. Po ashtu, në luftën kundër krimit të organizuar thuhet se është bërë përparim i kufizuar.
Komisioni Evropian, megjithatë tha se Kosova ka bërë përparim në luftën kundër terrorizmit, “veçanërisht në rehabilitimin dhe riintegrimit të luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre”.
Megjithatë, Komisioni Evropian ka kritika për sistemin gjyqësor, pasi administrimi i drejtësisë vlerësohet se vazhdon të jetë “i ngadalshëm, joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve politike”.
Si pikë pozitive është parë Strategjia për Sundimin e Ligjit dhje Planin e Veprimit, që u miratua në gusht të vitit 2021.
Por, synimet e Kosovës për të bërë vetting në gjyqësor vetëm një herë është parë me “shqetësim” nga KE-ja.
Në raport po ashtu flitet për përparimin që ka bërë Kosova sa i përket përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe rritjes së investimeve në energjinë e ripërtërishme, por “burimet e energjisë me bazë në qymyr vazhdojnë të jenë shqetësuese”.
KE-ja sërish ka thënë se reforma në administratën publike është urgjente.