Institucioni i Avokatit të Popullit, ka bërë të ditur se ky institucion mbrëmë ka pranuar kërkesën e familjes së Astrit Deharit tashmë të ndjerë lidhur me prezencën e mjekëve të caktuar nga vet familja për t’i kryer autopsinë djalit të tyre.
Avokati i Popullit, përmes një komunikate ka bërë të ditur se nesër gjatë ditës do t’i bëhet autopsia Astrit Deharit.
“Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit, gjatë paradites së sotme, kanë kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prizren lidhur me kërkesën e familjes Dehari dhe kanë marrë konfirmimin se do të lejohet prania e mjekëve të caktuar nga familja gjatë autopsisë, gjë që pritet të bëhet gjatë ditës së nesërme! Avokati i Popullit e ka mirëpritur vendimin e Prokurorit, që të marrë parasysh kërkesën e familjes”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.
“Kërkesa është drejtuar duke pasur për bazë faktin se në kuadër të IAP-së, funksionon, si një strukturë e veçantë, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës dhe trajtimeve e ndëshkimeve të tjera mizore, jonjerëzore dhe poshtëruese (MKPT), i cili ka për mandat të kryejë inspektime në vendet ku mbahen personat e privuar nga liria, në pajtim me Protokollin Opsional të Konventës kundër Torturës (OPCAT)”, thuhet në komunikatë.
Avokati i Popullit po ashtu ka shprehur keqardhje për humbjen e jetës së Astrit Deharit dhe njëkohësisht ka bërë thirrje për maturi dhe vetëpërmbajtje nga komentet e ngutshme, jo kompetente dhe kontradiktore. /Insajderi.com