×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Plus Festivali – një minus i madh në natën e parë

    Insajderi
    22 July 2016 - 16:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Reperët kosovar LyricalSon dhe MC Kresha ndalën performancën dhe kërkuan nga publiku që nëpërmjet zhurmës të tregonin se sa ishin duke u kënaqur.

    Turma bërtiti me të madhe por bashkë me zërin e turmës u ndal edhe rryma. Skena e madhe në të cilën pritej të performonte edhe reperi i njohur gjerman Bushido, ishte jashtë funksionit.

    Mungonte energjia elektrike.

    “Për shkak të problemeve teknike (prishjes se gjeneratorit) artisti i njohur Bushido nuk pati mundësi të performoj. Kontraktori i gjeneratorit nuk e ka kryer punën me përgjegjësi dhe në mënyrë adekuate”, thanë organizatorët teksa vet reperi nëpërmjet një postimi në Facebook u shpreh i zhgënjyer me këtë problem.

    “E kuptojmë zhgënjimin tuaj, sepse edhe ne vet jemi të shkatërruar plotësisht, sepse me siguri kjo dot ë ishte një party i pazëvendësueshëm”, ka shkruar Bushido, duke premtuar një rikthim në Kosovën që ai thotë t’i ketë lënë përshtypje mikpritja.

    Organizatorët e festivalit P+Festival i cili filloi dje me 21 korrik në Parkun e Gërmisë, u kërkon ndjesë të gjithë atyre që dje ishin në festival për të parë përformancën e Bushidos, mirëpo kanë premtuar bileta falas për dy netët në vazhdim, për ata që kanë paguar 20 dhe 25 euro për natën e parë.

    Por problemet e natës së parë kanë filluar para se të ndalej energjia elektrike.

    Bileta tek hyrja ka kushtuar 20 dhe 25 euro.  Pesë euro më shtrenjtë kanë paguar ata që kanë dashur qasje tek pjesa afër skenës, por brenda 1 ore të gjithë janë bërë bashkë, pasi pjesa që ndante audiencën që kishte paguar 20 euro prej asaj që kishte paguar 25 euro u hoq.

    Shumë pjesëmarrës në festivalin e ideuar përpos për muzikë edhe për art e teknologji kërkuan kthimin e 5 eurove pasi ndarja e audiencës tashmë ishte prishur.

    Por organizatorët nuk është se kanë dhënë përgjegjësi për këtë. As për pijet e nxehta të cilat janë shitur në çmime prej 2 eurove një birrë e deri në 5 euro mikset e pijeve alkoolike.

    Audienca e përbërë në shumicë gati absolute nga kosovarë që jetojnë jashtë vendit dukej se nuk e ndiente çmimin e pijeve e as të biletës.

    Por kërkonin edhe llogari kur festivali u ndal ende pa filluar mirë.

    Fillimisht audienca nisi të fishkëllej por pak minuta më vonë nisi edhe të brohoras “UÇK UÇK” për të vazhduar me pas me këngën më të kënduar në turma me shqiptar “Xhamadani vija-vija”.

    Pas më shumë se 2 orësh pritje, edhe audienca edhe organizatorët u lodhën. Teksa organizatorët hoqën dorë nga rregullimi i energjisë elektrike, audienca nisi të shpërndahej dhe të ikte nga festivali.

    “Jam shumë i zhgënjyer, deshta me e ngu Bushidon por skem qa me bo”, tha Arianit Musa, 19 vjeçar nga Gjilani, që kishte ardhur në festival pasi gjendej në Kosovë për pushime.

    “Ndodhin në Gjermani probleme të tilla ama gjendet një zgjidhje. Organizatorët gjithmonë kanë një zgjidhje të dytë për problemet”, tha ai.

    Në festival kishte edhe audiencë ndërkombëtare. Karen Doe që jeton në Zvicër e që kishte ardhur në Kosovë së bashku me shoqëri tha se priste ta dëgjonte Bushidon por mbi të gjitha ajo kishte një preferencë lokale.

    “Më pëlqen edhe Elinel por ja që nuk arriti të këndoj shkaku i energjisë elektrike. Kjo është pak e çuditshme për festivale”, tha ajo.

    Përpara se Elinel do të ngjitej në skenën në të cilën më parë performuan reperët e kompanisë diskografik “PINT”, muzikë lëshoi edhe Dj Dalool, me housë-folklor-hiphop e gjithçka tjetër.

    E sipas organizatorëve krejt këto që kanë ndodhur gjatë natës së parë janë gjëra të ndodhin.

    “Dështimet ndodhin por ne iu lusim që mos ta humbni besimin tonë, këto dy ditë tjera të festivalit do të përgatiten me më shumë kujdes, andaj iu ftojmë që të merrni pjesë dhe së bashku të kënaqem me artistet tjerë të cilët do të përformojnë në P+Festival”, thuhet në komunikatën e organizatorëve.

    Një ditë më parë, Insajderi kishte shkruar se ky festival është plus i madh për skenën e festivaleve, por kjo mbetet të shihet këto dy netë./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark