×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Plus një festival në Kosovë, por një plus i madh për festivalet

    Insajderi
    20 July 2016 - 21:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Vera e këtij viti ka “lulëzuar” me shumë festivale të reja, duke e bërë Kosovën një nga vendet me më së shumti ngjarje muzikore dhe të filmit në Ballkan, por një festival plus do të nisë nesër.

    Në fakt “P+ Festival” është një plus në skenën e festivaleve në Kosovë dhe për këtë ka shumë arsye.

    “P+ Festival” që do të nisë të ënjtën në parkun e Gërmisë në Prishtinë e që do të vazhdoj për tri ditë radhazi, është një nga festivalet më unike që është mbajtur në kryeqytet viteve të fundit.

    I ri-brenduar tërësisht në një format multidimenzional, i quajtur deri më tani “Festivali YT” rikthehet me emër dhe koncept krejtësisht të ri duke përçuar frymën e rinisë kosovare, “alla urbane”, por në një park.

    “Magjia e “Prishtina Plus Festival” apo P+festival, produkt i Next Level dhe Unit Live do të bëj bashkë artin, teknologjinë muzikën dhe dashurinë për tri ditë e tri net”, thuhet në përshkrimin e ngjarjes në Facebook.

    Gjatë 21, 22 dhe 23 korrikut, organizatorët kanë sjellë për publikun ngjarje që ndërlidhen prej atyre të teknologjisë e deri tek muzika e zhanreve të ndryshme.

    “Kjo ngjarje do bëhet shtëpia juaj për promovimin e muzikës, artit e teknologjisë për tri ditë rresht. Ndihuni të lirë ta përjetoni si të tillë, sepse është një ngjarje e rrallë që do të servohet në gjelbërimin e Parkut të Gërmisë”, thuhet në përshkrimin e ngjarjes.

    Bashkëpunimi me “Inovation Center of Kosovo” ICK, njohja me eksperienca të panelistëve ndërkombëtarë e rajonal dhe muzikë për të gjitha preferencat, janë ajo cfarë ofron festivali.

    Instalacionet artistike, seminare e konferenca, gara sportive dhe ndarja e përvojave të graffiti artistëve do të jenë pjesë e bukurisë përgjatë aktiviteteve tri ditore.

    Reperi gjerman Bushido do të jetë ylli i natës së parë që do të përcillet nga të tjerë hip-hop artistë rajonal dhe vendor sikurse CEZA, Mc Kresha, Lyrical Son, Regard e Dj Dagz.

    Nata e dytë do të jetë e rezervuar për adhurues të muzikës elektronike që do të kenë rastin të dëgjojnë DJ-të sikurse Joris Voorn, Djebali, Alican, Sabb, Lekë, Jehonë, M.i.M teksa në natën e tretë do të luajnë Pollyster, Troja, Jericho, Dren Abazi, Oborri, Janez e të tjera bende.

    Pas krejt kësaj liste të artistëve, organizatorët e festivalit kanë vetëm një mesazh: “Nuk arsyetohen mungesat”./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark