Lorik Xhemshiti është i burgosuri që u arratis mëngjesin e sotëm nga reparti i Hematologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Arratisja e tij u konfirmua për Gazeta Insajderi nga avokati i Lorikut, Mehdi Kozhani.
Avokati tha se këtë e mori vesh nga bashkëshortja e Lorik Xhemshitit.
Mirëpo, për avokatin Mehdi Kozhani, është e cuditshme se si ka arritur që klienti i tij të ik nga spitali, pasi që sipas tij gjendjen shëndetësore e ka pasur të rëndë.
“Fola pak më herët me bashkëshorten e tij. Ajo më tregoi sepse asaj i kishin treguar nga Policia. Unë po cuditem se si ka arritur që të ik nga spitali. Ai ka vuajtur nga dy sëmundje dhe gjendjen nuk e ka pasur të mirë. Vetëm nëse e ka bërë nga presioni psikologjik, mirëpo prapë nuk është mirë. Cdo tri ditë ai duhet ta marrë një injeksion për njërën nga sëmundjet e tij dhe marrja e tij është obligative”, tha Kozhani për Gazeta Insajderi.
“Nuk është mirë me ba këso veprimesh. Tash ai ka bërë vepër tjetër penale me ikjen e tij. Shtetit as nuk mundesh e as nuk duhet me i ik”, tha ndër të tjera avokati i Lorik Xhemshiti.
Gazeta Insajderi pati raportuar për arrestimin e Lorik Xhemshitit, nënës së tij dhe vëllaut.
44 vjeçari dyshohet për veprën penale fajde dhe detyrim.
Ndaj tij dhe dy familjarëve të tjerë, u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Mirëpo, gjendja shëndetësore e Lorik Xhemshitit ka bërë që ky i fundit të dërgohet për shërim në QKUK.
/Insajderi.org/