Zëvendës kryesues i Kuvendit Komunal të Graçanicës, Granit Gashi ka replikuar me deputeten Duda Balje lidhur me një denoncim që kjo e fundit e ka bërë kundër komandantit të stacionit policor të Graçanicës Bratislav Trajkoviq, për ngacmim ndaj një police boshnjake Milhata Qela, shkruan Gazeta Insajderi.
Gashi duke thënë se ajo çfarë ka shkruar Baljë është gënjeshtër dhe trillim, ai ka shkuar më larg duke i thënë se ‘po i shërbeni Listës Serbe‘.
“Zonja Deputete, kjo është një gënjeshtër e madhe dhe trillim për denigrimin e Komandantit z. Trajkovic…. E nderuar pavetëdijen tuaj dhe pa pasur informacione te plota po i shërbeni qëllimit te listës serbe..”, shkruan ai mes tjerash.
Këto komente i ka bërë në statusin që Dude Balje ka postuar dje lidhur me këtë rast.
Siç ka shkruar Balje, Qela ka qenë në një gjendje dukshëm shumë të keqe dhe e gjithë kjo si rezultat i ngacmimit psikologjik nga komandanti i stacionit policor të Graçanicës z. Bratislav Trajkoviq.
“Ka qenë një police e quajtur Milhata Qela, boshnjake, e cila ka 19 vjet që punon në shërbim. I shqetësuar, duke qarë, i frikësuar, me një gjendje dukshëm shumë të keqe dhe e gjithë kjo si rezultat i ngacmimit psikologjik nga komandanti i stacionit policor të Graçanicës z. Bratislav Trajkoviq. Edhe pas raportimit në IPK me inspektoren S.D., asgjë nuk ka ndryshuar sepse ajo as nuk ka marrë përgjigje”, ka shkruar Balje.
Tutje ajo ka kërkuar nga institucionet kompetente, policia dhe IPK-ja, si dhe ministria që ta hetojnë këtë rast.