A po përpiqet drejtori i FBI-së të sabotojë kandidaturën e Hillary Clinton - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    A po përpiqet drejtori i FBI-së të sabotojë kandidaturën e Hillary Clinton

    Insajderi
    04 November 2016 - 13:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Drejtori i FBI-së James Comey është përzier në fushatën zgjedhore amerikane dhe është tani vetë në qendër të kritikave. A po përpiqet ish-republikani të sabotojë kandidaturën e Hillary Klintonit?

    Më 2 mars 2015 New York Times shkruante se Hillary Klinton përdorte në kohën e saj si ministre e Jashtme një servër privat për e-maila. Pasi Klintoni e pranoi pak ditë më pas këtë fakt të botuar nga New York Times, FBI-ja filloi hetime ndaj saj.

    Një vit më vonë drejtori i FBI-së James Comey deklaroi se institucioni tij i kishte mbyllur hetimet dhe se nuk kishte gjetur ndonjë shkak për të ngritur akuzë kundër Klintonit. Shpallja e mbylljes së hetimeve pak kohë para zgjedhjeve presidenciale dhe në mënyrë aq të hollësishme e prezantimit të kësaj ngjarjeje përpara shtypit, sikurse e bëri vetë James Comey, është e pazakonshme në SHBA, shkruan DW.

    Kritika të ashpra – edhe nga Donald Trump

    Republikanët në Kongres u zemëruan shumë që shefi i FBI-së, vetë ish-republikani, nuk rekomandoi ngritjen e padisë ndaj Hillary Klintonit. Sidomos Donald Trump, por edhe republikanë të tjerë e kritikuan ashpër atë. Demokratët, u ndjenë të lehtësuar, dhe e lavdëruan vendimin. Në këtë kohë u duk se historia mori fund.

    Por 11 ditë para zgjedhjeve James Comey, ndezi  për herë të dytë brenda pak muajsh një bombë politike. Ai i infromoi me një letër të shkurtër anëtarët e Kongresit se FBI-ja ka nisur sërish hetime në lidhje me aferën e e-mailave të Hillary Klintonit, por se nuk mund të thotë nëse këto e-maile janë relevante apo jo. Letra u jo vetëm që u bë menjëherë e njohur në publik, por dominon që prej atij momenti edhe fushatën zgjedhore në SHBA.

    “Shpërdorim monstruoz i postit”

    Kësaj radhe kritikat ndaj Comey-it erdhën nga kampi i demokratëve dhe nga Hillary Clinton. Me letrën e tij ai ka thyer jo vetëm një rregull të hekurt që gjashtë javë para zgjedhjeve të mos ndërmerret asnjë veprim që mund të interpretohet si ndikim politik, por e ka kthyer madje kokëposhtë fushatën zgjedhore.

    Edhe presidenti Barack Obama e kritikoi FBI-në, por pa e përmendur emrin e James Comey-it. Ai tha se hetuesit duhet të punojnë me informacione dhe vendime konkrete dhe jo me aludime.

    Edhe shumë republikanë dhe ekspertë të drejtësisë janë të zemëruar me hapin e Comey-it për të informuar Kongresin, megjithë paralajmërimet që i ishin bërë nga autoritetet më të larta të drejtësisë. Richard Painter, profesor i drejtësisë në Universitetin e Minesotës, tha për DW-në se veprimi i Comey-it është “një shpërdorim monstruoz i postit” dhe “jo mënyra se si punon FBI-ja, e cila duhet t’i mbajë hetimet sekret.”

    William Snyder, ish-zëvendësprokuror në shtetin e Pesilvanisë dhe të Uashingtonit, thotë se Comey, kur kishte deklaruar mbylljen e hetimeve nuk e dinte se do të dilnin materiale të tjera dhe se në momentin që ato dolën, e ndjeu veten të detyruar të bënte këto sqarime shtesë.

    Kush e ka fajin?

    Richard Painter dhe shumë të tjerë mendojnë se James Comey është vetë fajtor, se ai nuk duhet t’i premtonte Kongresit, kur deklaroi mbylljen e hetimeve, se do ta informonte sërish, nëse do të kishte zhvillime të reja. William Snyder thotë se fajin e ka Kongresi, se nëse kongresmenët nuk do ta thërrisnin Comey -in për të deklaruar përpara Kongresit ai nuk do të vihej në një situatë të tillë.

    Daniel Richman, këshilltar i Comey-it mendon se sido që të vepronte shefi i FBI-së ai do të kritikohej. Po të kishte heshtur, do të kritikohej dikur kur gjërat të dilnin në shtyp, se kishte heshtur në këto rrethana të jashtëzakonshme. Tani që u shpreh kritikohet për ndikim politik. Richman thekson se “agjenda e Comey-it është të mbrojë integritetin dhe kredibilitetin e FBI-së”. (DW).


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark