×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Po sikur shefin e Aushvicit të mos e pyesnin për kampin?

    Insajderi
    15 October 2020 - 14:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

     Valmir Elezi

    Sot në Aushvic mund të ndodh gjithçka, por famën që e mori pa dëshirë që nga Lufta e Dytë Botërore, nuk do të mund t’ia heq askush dhe duket asgjë. Edhe sikur ndonjë ngjarje të impresionojë botën, megjithatë historianët, kronikanët, reporterët, pse jo edhe shkrimtarët, do të shkruajnë se ajo ndodhi në këtë vend ku dikur ekzistonte ferri mbi tokë.

    “Aushvic: një emër pa kuptim atëherë për ne, por që patjetër duhet të përkonte me një vend mbi këtë tokë”, shkruante Primo Levi në librin e tij të kujtimeve “A është vallë njeri?”. Ai, më 1947, nxori në dritë përjetimin e tij brenda kampit të së keqes dhe çnjerëzimit.  

    Me qindra të tjerë dëshmuan, jo duke shkruar libër si Levi, por në Tribunalin Ushtarak Ndërkombëtar që ishte vendosur në qytetin e tubimeve të partisë naziste dhe ligjeve raciale, në Nurenberg, apo edhe në procese të tjera gjyqësore në vende të ndryshme.

    Në gjykatoren e Nurenbergut ishte thirrur nga mbrojtja e një të akuzuari për të dhënë dëshminë e tij edhe Rudolf Hoess, një nga drejtuesit më jetëgjatë të kampit të Aushvicit. Derisa po akuzohej për vrasjen e tre milion e gjysmë njerëzve, Hoess kishte dhënë, ndoshta një nga përgjigjet më tmerruese që njeh historia njerëzore: “Jo. Janë vetëm dy milion e gjysmë – pjesa tjetër vdiq nga sëmundja dhe uria”.

    Ky është çasti kur të mbijetuarit, familjet e tyre dhe të viktimave, ndjejnë për herë të dytë tragjedinë. Ky është çasti kur viktimat nuk respektohen as për së vdekuri.   

    Gjatë gjykimeve të Nurnbergut, ku ai dëshmoi, psikologu ushtarak amerikan Gustave Gilbert kishte diskutuar me Hoess. Gilbert do të shkruante më vonë: “Në të gjitha diskutimet, Hoess është mjaft faktik dhe apatik, tregon një interes të vonuar për madhësinë e krimit të tij, por jep përshtypjen se kurrë nuk do t’i kishte shkuar ndërmend nëse dikush nuk do ta pyeste atë”.

    Mund të tingëllojë absurde, por: Po sikur të ndodhte që Hoess të mos pyetej për kampin? Po sikur ai të mos e pyetej për krimet brenda kampit që vetë e drejtonte?

    Sigurisht se ky do të ishte një problem i madh për botën dhe vendosjen e paqes pas një lufte botërore shkatërrimtare. 

    Një deklaratë gjithashtu tmerruese na ka rënë ta dëgjojmë edhe këto ditë, që më solli në vëmendje këtë histori më shumë se shtatë dekadëshe.

    “Lëreni ju amerikanët, gjermanët, turqit. Çfarë të bëjmë ne me serbët që ju tregojnë shqiptarëve, kroatëve, e flasin llojlloj budallallëqesh të ndryshme, e ju tregojnë se ku janë varrosur shqiptarët në të gjithë Serbinë”, tha dikund në një televizion Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq. Kjo deklaratë, siç pritej, gjeti mbështetje të gjerë në mesin e zyrtarëve të tjerë të Qeverisë së Serbisë.

    Ky është prapë çasti kur tragjedia duket se nuk ka përfunduar.  

    Kjo është koha kur bota perëndimore, e cila formon edhe opinionin ndërkombëtar, duhet të rizgjohet. Kjo deklaratë dëshmon tri të vërteta të mëdha: krimet e Serbisë në Kosovë; angazhimin e një shteti për t’i fshehur ato; dhe pashkëputshmërinë e politikës aktuale serbe me të kaluarën. Prandaj, ky është një problem që tejkalon kufijtë e Ballkanit Perëndimor.  

    Daçiq është Ministër i Jashtëm i një shteti, i cili shpeshherë viziton kryeqendrat europiane, por më së paku, askush nuk i reagoi me zemërim dhe dënim kësaj deklarate.

    Fatkeqësisht, këtu nuk përfundon indiferenca. Sot Serbia nuk pyetet për asnjë krim të kryer në Kosovë. Lista e masakrave dhe e të vrarëve është e gjatë, por krimet e luftës së fundit vazhdojnë të mbesin të pandëshkuara. Distanca kohore po rritet vazhdimisht dhe kjo mund të vështirësojë arritjen e drejtësisë.

    Deklarata e rëndë e Ministrit të Jashtëm serb, vjen në kohën kur synohet arritja e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo mund t’i vendos pikëpyetjen mbrapa dhe ta vështirësojë rrugën për arritjen e paqes.

    Historia tregon shembuj të shumtë se, ndër tjerash, shkëputja e qartë nga e kaluara e mundëson arritjen e pajtimit, por sot ne nuk e shohim të ndodh kjo. Deklarata si këto, e që i dëgjojmë shpesh, tregojnë vazhdimësinë nga e kaluara, të cilës i ka takuar aktivisht edhe vetë Daçiq dhe shumë zyrtarë tjerë të shtetit serb.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark