×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Po tani Amerikë?

    Insajderi
    30 December 2020 - 11:08

    Katër vjet bota ndodhej në lakun e llogarisë në Twitter të Donald Trump. Ndonëse ai duhet të largohet tani, një kthim në atë si ka qenë nuk do të ketë. Nuk i dihet, se si do të zhvillohet vërtetë SHBA, mendon Ines Pohl.

    Ines Pohl

    Në fund muret fortifikues të ndarjes së pushteteve u bënë ballë sulmeve të marra. Të gjitha ato rënkime e ankime nuk ndihmuan aspak. Madje as gjyqtaret e gjyqtarët e zgjedhur prej tij në Gjykatën Supreme amerikane nuk i ndihmuan dot. Donald Trump duhet të largohet më 20 janar nga Shtëpia e Bardhë. Kjo është një arsye për t’u çliruar. Me Joe Biden postin e merr një personalitet politik, që është më i besueshëm, që u përmbahet rregullave të konsoliduara të sjelljes dhe që e di cënueshmërinë e institucioneve demokratike. Por edhe parashikueshmëria merr fund këtu. Kush mendon, se fryma Trump merr fund më 20 janar, bën një gabim kardinal: E nuk janë pak ata që supozojnë, se Donald Trump ishte një rastësi, ndoshta një fatkeqësi apo një përjasahtim.

    Donald Trump  nuk qe rastësi

    Jo, kjo nuk ishte rastësi. Donald Trump dhe mënyra e tij korruptive, nacionaliste dhe raciste e të bërit politikë, nuk është rastësi. Kjo është pasojë e një sistemi dy-partiak, që nuk është ripërtërirë. Ndaj ky duhej të shërbente si një sinjal zgjimi për të gjtihë ata, që mendojnë, se kapja fort pas strukturave të vjetëruara dhe privilegjeve siguron demokracinë. Në fakt është e kundërta.

    Ashtu si të gjithë populistët e sukseshëm Donald Trump që në fillim me slloganin “ne kundër atyre” mblodhi me sukses votat. Lufta elektorale nën moton “America first” në mënyrë implicite përmbante fillimisht premtimin racist për sprasjen e „së huajës”, „jo-amerikanes”. Edhe nëse për një shoqëri emigracioni si SHBA-ja tingëllon e çuditshme, premtimi ishte mbajtja e shumicës së bardhë të shoqërisë në pushtet. Kjo ndjenjë e humbjes së pushtetit do të përforcohet në vitet e ardhëshme prej zhvillimit demografik. Kjo frymë tashmë ka dalë prej rrogozit në sipërfaqe.

    Luftë kundër elitave

    Rrëfimi i dytë me të cilin ia ka dalë Trump qysh në krye të herës është, se ai atje lart luftonte në anën e të shtypurve, të paprivilegjuarve dhe kundër elitave.

    Me karrierën e tij 50 vjeçare politike Joe Biden si pakkush tjetër mishëron pikërisht këtë elitë. Ai për këtë arsye nuk ka pothuajse asnjë shans që t’i nxjerrë njerëzit prej skemës mik/armik. E kjo të çon tek instrumenti i tretë, më i qëndrueshmi dhe më i rrezikshmi i pushtetit të Donald Trump: infiltrimi i vazhdueshëm i një realiteti të përgjithshëm, në të cilin ka fakte neutrale, që nuk janë të motivuara politikisht, por thjeshtë të vërteta. Që ekzistojnë në njohuritë shkencore, që nuk orientohen në marzhet e fitimit, por bazohen tek hulumtimi. Si mund t‘i arrish njerëzit, që lëvizin vetëm brenda botës së tyre të gënjeshrave dhe teorive të konspircionit? Si mund të ribashkohet një shoqëri, e cila është shkëputur nga realiteti?

    Fundi përpara fillimit?

    Joe Bidenit dhe kabinetit të tij do t’i duhet të luftojë me sfidat brutale të politikës së brendëshme. Nëse partia e tij nuk ia del të fitojë zgjedhjet për senatin në Georgia më 5 janar, perspektiva për një presidencë të sukseshme do të marrë fund përpara se ajo të fillojë më 20 janar, kur bëhet betimi i presidentit. Kjo për faktin, se republikanët me shumicën e tyre në senat do të bëjnë ç’është e mundur për t’i bojkotuar nismat e arsyeshme.

    Nëse do të ndodhë kjo, ne do të përjetojmë një SHBA me një udhëheqje politike, e cila do të përpiqet të rikthejë besueshmërinë e vjetër. Por ajo do të jetë një udhëheqje që drejton një popull të përçarë më shumë se kurrë dhe së cilës do t’i duhet të luftojë me vështirësitë ekonomike, që i kanë thelluar këto dasi.

    Ne do të përjetojmë një vend, që për vite – për të mos thënë dekada – do të konsumohet në luftrat e brendëshme për pushtet duke u tërhequr gjithnjë e më shumë prej detyrimeve multilaterale kryesisht në Europë. E kjo pavarësisht se kush do të jetë në Shtëpinë e Bardhë. Me këtë të vërtetë duhet të komportohet më në fund Europa dhe Gjermania.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark