Fakulteti Juridik është njëri prej fakulteteve me më së shumti studentë në Universitetin e Prishtinës, por asnjëri prej tyre nuk ka reaguar ndaj librit të profesorit Ragip Halili “Kriminologjia” nga i cili mësohet se homoseksualizmi është i njëjtë si prostitucioni dhe se seksi mes së njëjtës gjini është deformim psikik.
Shumicës së tyre nuk iu ka bërë përshtypje as përformanca e grupit “Haveit” që të hënën në mesditë dolën para hyrjes së Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, për të performuar kundër literaturës diskriminuese dhe fyese ndaj komuniteti LGBT.
Ato përsëriten performancën e 9 dhjetorit “Pushimi i Gjatë” që e kishin bërë në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
“Pushimi i gjatë” është një libërth i botuar në formë lekture në të cilën gjenden poezi për dashurinë, poezi që sipas “Haveit” shoqëria kosovare i ka pasur të ndaluar t’i mësojnë në shkolla.
https://www.youtube.com/watch?v=xO9IbktOStQ
Poezitë e shkruara nga autorë të njohur e të panjohur e që i dedikohet dashurisë mes gjinisë së njëjtë, janë lexuar edhe të hënën si reagim ndaj faktit që studentëve në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, u ligjërohet se prostitucioni dhe homoseksualizmi janë gati e njëjta gjë.
Kjo është vetëm një nga cilësimet që i bëhet homoseksualizmit në librin “Kriminologjia” të autorit Ragip Halili, botimi i shtatë i të cilit është publikuar në vitin 2001.
Të ulura në një bankë shkollore, “Haveit” kanë lexuar poezitë dhe kanë shpërndarë “lekturat” për studentët dhe profesorët që kanë hyrë apo dalë nga Fakulteti Juridik.
“Në Fakultetin Juridik studentët mësojnë nga libri i shkruar nga një homofob i cili paguhet për të shpërndarë homofobinë në njërin prej fakulteteve më të frekuentuara të Kosovës. E ky profesor meriton një ‘Pushim të Gjatë’ ashtu sikurse emri i performancës”, thanë “Haveit” në një deklaratë të përbashkët, për Insajderin.
“Sikurse ne të mësonim nëpër shkolla, më shumë poezi dashurie, me siguri edhe profesori Ragip Halili e të gjithë homofobët e tjerë nuk do ta gjenin këtë rahati në Kosovë”, shtuan ato.
E studentët që e panë performancën komentuan në mënyra të ndryshme.
“Po lexojnë poezi po se di për çka”, komentoi një student i Fakultetit Juridik.
Kur u pyet nga gazeta, një koleg i tij, student i vitit të IV tha se nuk i kujtohet të ketë lexuar librin e autorit Halili.
“Për geja nuk folet kurrë në fakultet, veç kur profesori e lëshon naj fore”, tha studenti, që nuk deshi të identifikohet.
“S’ka nevojë me më dal emri për geja”, tha ai kur u pyet pse nuk dëshiron t’i publikohet emri.
E kjo, është një nga të metat që literatura shkollore shkakton tek studentët kosovar.