“Policët serbë të Kosovës, s’do guxojnë të shpërndajnë gjoba për serbët e veriut” - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Policët serbë të Kosovës, s’do guxojnë të shpërndajnë gjoba për serbët e veriut”

    Insajderi
    31 October 2022 - 15:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Tri ditë më parë qeveria e Kosovës mori vendim të ri lidhur me konvertimin e targave ilegale serbe. Kryeministri, Albin Kurti deklaroi se vendimi për targat mbetet në fuqi, mirëpo me disa ndryshime.

    Më këtë veprim, Kurti injoroi haptas kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare për shtyrje të afatit deri në 10 muaj. I shqetësuar dhe i zhgënjyer u shpreh, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

    Lidhur me këtë, drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, po konsideron se Kurti është dashur ta dëgjoj dhe zbatoj rekomandimin dhe kërkesën amerikane për table.

    Sipas tij, masat e qeverisë së Kosovës janë demokratike por nuk janë frytdhënëse.

    Sa i përket vendimit për shpërndarjen e gjobave ndaj serbëve që nuk pranojnë t’i ndryshojnë targat në RKS, Sheholli nuk beson se kjo do të ndodhë.

    “Nuk besoj që policët serbe të Kosovës do të guxojnë të shpërndajnë gjoba për serbë të veriut, prandaj situata mund të komplikohet. Serbët e veriut janë peng të politikës së Beogradit dhe nuk guxojnë të marrin hapa të ndërrojnë tabelat. Pra, jo që nuk dëshirojnë por nuk guxojnë”, ka theksuar Sheholli për Insajderin.

    Ndryshe, gjatë ditës së sotme zyrtarë serb deklaruan se nuk duan targa të reja, duke e quajtur të dhunshëm vendimin e Kurtit.

    “Këto janë targa të lëshuara nga Republika e Serbisë, ata nuk duan targa të tjera sepse Kurti por edhe ata që mbështesin të ashtuquajturën Kosovë të pavarur duhet të kuptojnë se serbët në Kosovë ndjehen si qytetarë të Republikës së Serbisë dhe jo dikush ka të drejtë t’i anulojë targat tona serbe, sepse në fakt është qëllimi dhe plani i vërtetë i Albin Kurtit për ta shtyrë ekzistencën e shtetit të Serbisë jashtë territorit të Kosovës dhe qëllimi përfundimtar është dëbimi i popullit tonë”, deklaroi drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. /Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark