Policia e Kosovës ka arrestuar 21 persona dhe ka konfiskuar 23 armë të cilat janë përdorur gjatë ahengjeve familjare sivjet.
Kjo është bërë në kuadër të implemtuarit të planit operativ ‘sezoni veror’ i realizuar gjatë periudhës kohore qershor – tetor 2016.
Në kuadër të këtij plani operativ, një ndër prioritetet në fushën e veprimit në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë ishte parandalimi i të shtënave në ahengje.
“Gjatë kësaj periudhe kohore, falë bashkëpunimit të ndërsjellë me qytetarë, është arritur që me kohë të identifikohen vendet ku dëgjoheshin të shtëna, reagimet e shpejta dhe efikase të zyrtarëve policorë kanë rezultuar që në 22 raste të intervenimeve policore të konfiskohen 23 armë të ndryshme, si dhe të arrestohen 21 persona në cilësi të dyshuarve”, thuhet në komunikatën e policisë nga rajoni i Mitrovicës.
Policia thotë se veprimet policore që në fillim të sezonit veror ishin të orientuara në sensibilizimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve për rrezikun dhe pasojat e përdorimit të armëve në ahengje, ku zyrtarët policorë përmes takimeve që kanë zhvilluar me banorë të zonave të ndryshme, ashtu edhe me përfaqësues të fshatrave, pronarë të lokaleve, anëtar të KLSP-ve, grupe rinore, kanë promovuar arsyen e veprimit të përbashkët, njëkohësisht nën moton “Festo pa armë”, ku janë shpërndarë edhe fletëpalosje.
Përkundër rezultateve të arritura, policia thotë se do ta vazhdojë angazhimi policor në fushën e zbatimit të autorizimeve si në parandalim ashtu dhe në reagim, me qëllim që raste të tilla të mos jenë evidente në ahengje./Insajderi.com