Policia e Kosovës ka ndërhyrë mbrëmjen e 11 dhjetorit, duke arrestuar gjashtë persona të dyshuar për “kontrabandim me mallra” dhe “kalim ilegal të kufirit”.
Rasti u regjistrua rreth orës 18:30, në një rrugë malore të fshatit Rujishtë, ku njësitë policore ndaluan katër automjete me targa të Serbisë.
Sipas policisë, automjetet dyshohej se transportonin mallra të kontrabanduara pa asnjë dokument që dëshmonte prejardhjen e tyre. Brenda tyre janë gjetur tekstile, produkte ushqimore dhe artikuj të mishit. Personat e përfshirë, së bashku me automjetet, u shoqëruan në Stacionin Policor në Mitrovicën Veriore.
Për rastin është njoftuar Dogana e Kosovës, e cila ka marrë përsipër procedurat e mëtejshme doganore. Ndërkohë, prokurori kujdestar ka urdhëruar inicimin e çështjes si “kontrabandim me mallra” dhe “kalim ilegal i kufirit”.
Pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet do të vazhdojnë.