Policia e Republikës së Kosovës ka reaguar pas raportimeve të disa mediave serbe, të cilat pretenduan se një “grup i armatosur shqiptarësh ka hapur zjarr drejt pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë bazës së ashtuquajtur ‘Debela Glava’”.
Sipas Policisë, këto pretendime janë plotësisht të pavërteta.
Në komunikatën zyrtare thuhet se “pretendimet e publikuara në disa media të Serbisë […] janë dezinformata, të pabazuara dhe nuk korrespondojnë me asnjë informacion zyrtar apo ngjarje të verifikuar nga autoritetet në territorin e Republikës së Kosovës”.
Policia thekson se pas verifikimit të të gjitha të dhënave operative, raportimeve nga njësitë policore në terren dhe koordinimit me institucionet kompetente, nuk është regjistruar asnjë incident i natyrës së pretenduar nga mediat serbe. Sipas tyre, publikimi i informacioneve të tilla “kontribuon në krijimin e perceptimeve të rreme dhe rritjen e tensioneve të panevojshme në zonat kufitare”.
Në njoftim theksohet se situata në zonën kufitare mbetet e qetë dhe nën kontroll:
“Policia e Kosovës siguron qytetarët dhe opinionin publik se situata në zonën kufitare ka qenë dhe vazhdon të mbetet e qetë dhe plotësisht nën kontroll të autoriteteve.”
Ndërkohë, gjatë operacioneve të rregullta ditën e djeshme, policia ka arrestuar katër persona të dyshuar — shtetas të Serbisë — të cilët janë kapur për “kallim ilegal të vijës kufitare dhe armëmbajtje pa leje”. Armët e gjetura u konfiskuan, ndërsa të dyshuarit, me vendim të organeve kompetente të drejtësisë, u dërguan në mbajtje.
Policia u bën thirrje mediave që të raportojnë vetëm mbi informacione të verifikuara: “Policia e Republikës së Kosovës u bën thirrje mediave që të referohen vetëm në burime të verifikuara dhe të shmangin publikimin e informacionit të pa konfirmuar, i cili mund të ndikojë negativisht në rendin dhe sigurinë publike.”