Shkruan: Bedri Elezi
Ajo që ndodhi mbrëmë para Kuvendit të Kosovës nuk mund të arsyetohet thjesht me “situatë të tensionuar”, “turmë të zemëruar” apo me nevojën për ruajtjen e rendit.
Policia e Kosovës është pikërisht institucioni që ka për detyrë të menaxhojë situatat e tensionuara, të parandalojë përshkallëzimin dhe të mbrojë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Nëse gjatë protestës janë përdorur mjete dhe forcë përtej asaj që ishte e domosdoshme dhe proporcionale, atëherë nuk kemi më të bëjmë vetëm me një ndërhyrje policore, por me një çështje serioze të përgjegjësisë institucionale dhe individuale.
Dhe këtu duhet të jemi shumë të qartë:
Protestuesit nuk mund të ngarkohen me përgjegjësinë për paaftësinë eventuale të institucioneve për të menaxhuar situatën.
Policia kishte në dispozicion alternativa të tjera operative: komunikimin me organizatorët, ndarjen e turmës, krijimin e barrierave, krijimin e korridoreve të sigurta dhe largimin e kontrolluar të personave që ndodheshin në rrezik.
Në rastin e deputetëve të Vetëvendosjes që ndodheshin brenda Kuvendit, pyetja është shumë konkrete:
Pse nuk u krijua një korridor i sigurt dhe i kontrolluar për daljen e tyre, në vend që situata të lejohej të përshkallëzohej deri në përdorimin e gazit lotsjellës, ujit dhe forcës fizike?
Nëse ekzistonte mundësia për një zgjidhje të tillë dhe ajo nuk u aplikua, atëherë duhet të hetohet jo vetëm sjellja e zyrtarëve në terren, por edhe zinxhiri i komandimit, planifikimi operacional dhe vendimmarrja e niveleve drejtuese të Policisë.
Por më e rëndë është ajo që shihet në pamjet e protestës.
Nëse konfirmohet se ndaj një invalidi të UÇK-së, i cili ndodhej i shtrirë, është përdorur forcë fizike, si dhe ndaj personave të moshuar, atëherë kjo kërkon një përgjigje institucionale të menjëhershme.
Një person i shtrirë në tokë nuk mund të trajtohet sikur paraqet të njëjtin rrezik si një person aktivisht i dhunshëm.
Nëse një zyrtar policor vazhdon përdorimin e forcës pasi rreziku është neutralizuar, atëherë pikërisht aty duhet të fillojë hetimi penal dhe disiplinor.
Uniforma nuk është licencë për dhunë.
Autoriteti policor nuk është imunitet nga ligji.
Dhe përdorimi i forcës nga shteti nuk mund të shndërrohet në ndëshkim fizik të qytetarëve.
IPK DHE PROKURORIA NUK MUND TË QËNDROJNË DUARKRYQ
Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit duhet të veprojnë menjëherë dhe jo pasi opinioni publik ta harrojë ngjarjen.
Duhet të sekuestrohen dhe analizohen pamjet nga të gjitha kamerat, incizimet e mediave, telefonat e qytetarëve, komunikimet operative dhe raportet e njësive policore.
Duhet të identifikohen zyrtarët që kanë përdorur forcë.
Duhet të identifikohen eprorët që kanë dhënë urdhra.
Duhet të përcaktohet se kush ka vendosur për përdorimin e mjeteve policore.
Dhe mbi të gjitha:
Duhet të përcaktohet nëse forca e përdorur ishte e ligjshme, e domosdoshme dhe proporcionale.
Nëse jo, atëherë përgjegjësia duhet të jetë konkrete dhe individuale.
Jo deklarata politike.
Jo arsyetime institucionale.
Jo mbrojtje automatike e uniformës.
Përjegjësi para ligjit.
Sepse një shtet demokratik nuk matet vetëm me mënyrën se si i mbron institucionet e tij.
Matet edhe me mënyrën se si sillet me qytetarin kur ai është i dobët, i moshuar, i shtrirë në tokë apo i pambrojtur.
Nëse shteti kërkon respekt për Policinë, atëherë Policia duhet të jetë e para që demonstron respekt për ligjin.
Kosova nuk ka nevojë për një polici që e fiton kontrollin e turmës përmes frikës dhe forcës. Kosova ka nevojë për një polici profesionale që e fiton kontrollin përmes ligjit, disiplinës, komandimit dhe profesionalizmit.
Dhe nëse mbrëmë ka pasur tejkalim të autorizimeve, përdorim të tepruar të forcës apo dështim në menaxhimin operacional të situatës, askush nuk duhet të jetë mbi përgjegjësinë ligjore – nga zyrtari në terren deri te niveli më i lartë i komandimit që ka pasur përgjegjësi për operacionin.
Uniforma duhet ta mbrojë ligjin.
Jo ta zëvendësojë ligjin.
Hetim i menjëhershëm.
Përgjegjësi individuale.
Asnjë privilegj për askënd.
Asnjë heshtje institucionale.