Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitet e tjera të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar me sukses transferimin e një të dënuari nga Shqipëria dhe ekstradimin e një të kërkuari nga Gjermania.
I dënuari i transferuar nga Shqipëria ngarkohej me veprën penale “Trafikim i armëve dhe municionit në bashkëpunim”. Pas mbërritjes në Kosovë, ai i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, pasi një pjesë të tij e kishte kryer në Shqipëri.
Përveç tij, nga Gjermania është ekstraduar një shtetas i Kosovës i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë. Ai dyshohet për përfshirje në veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”. Pas ekstradimit, i dyshuari i është dorëzuar njësitit përkatës të Policisë në Gjakovë për vazhdimin e procedurave ligjore.