Insajderi
Lajme

Policia gjen armë, municion dhe barut në tri lokacione në Zubin Potok

Insajderi
22 June 2026 - 09:43
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Policia gjen armë, municion dhe barut në tri lokacione në Zubin Potok
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Policia e Kosovës ka konfiskuar armë, municion dhe mjete të tjera ilegale në tri lokacione të ndryshme në komunën e Zubin Potokut, pas informatave të pranuara nga qytetarët.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, më 21 qershor 2026 njësitë policore kanë pranuar informacione se në disa lokacione në Zubin Potok mund të gjendeshin armë, municion dhe mjete të tjera ilegale. Pas veprimeve operative dhe kontrolleve të realizuara, policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të armëve dhe municionit.

Rasti i parë është regjistruar në fshatin Presek të Zubin Potokut, ku gjatë kontrollit në një objekt që shërbente si shtallë për ushqimin e bagëtive janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë M48, pesë karikatorë të armës së gjatë të kalibrit 7.62 mm, 151 fishekë të kalibrit 7.62 mm, pjesë të uniformës së kamufluar dhe bateri ndriçuese.

Po në të njëjtin fshat, rreth orës 15:15, policia ka kryer një tjetër kontroll në një objekt të ngjashëm, ku janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë M48, 74 fishekë të së njëjtës armë dhe 254 fishekë të armës së gjatë të kalibrit 7.62 mm.

Ndërkaq, rreth orës 19:00, njësitë policore kanë kontrolluar një objekt të pabanuar në fshatin Qeçevë të Zubin Potokut. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë M48 me bajonetë, 11 fishekë të së njëjtës armë, 33 fishekë të armës së gjatë të kalibrit 7.62 mm, dy makina për mbushjen e fishekëve të armëve të gjuetisë, rreth 200 gramë barut dhe afërsisht dy kilogramë sfera metalike për mbushjen e fishekëve.

Policia ka bërë të ditur se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas autoriteteve, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka persona të arrestuar.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka bërë thirrje që të vazhdojnë të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike përmes numrit emergjent 192.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark