Policia e Kosovës ka sekuestruar mbi 535 gramë kokainë dhe marihuanë gjatë një operacioni në Fushë Kosovë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, gjatë kontrollit të një të dyshuari dhe bastisjes së një vendbanimi janë gjetur dhe sekuestruar 293.8 gramë kokainë dhe 241.6 gramë marihuanë.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar edhe tri peshore digjitale, një karikator dhe dy fishekë.
Me urdhër të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa personi tjetër është shpallur në kërkim.
Rasti ka ndodhur të dielën, rreth orës 19:00, në rrugën “Bedri Pejani” në Fushë Kosovë.
Ndërkohë, në një rast tjetër po në Fushë Kosovë, Policia ka arrestuar një person, të cilit gjatë kontrollit i janë gjetur 7.43 gramë marihuanë.
Pas intervistimit nga Policia, i dyshuari është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt. /Insajderi.org/