Policia e Kosovës vazhdon të kërkojë 15 persona, të cilët kanë kryer vepra të ndryshme penale, duke filluar nga vrasjet, deri te pengimi i komuniteteve të lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transeksualëve në Kosovë.
Policia nuk ka dhënë detaje se për çka kërkohen serbët Radomir (Uros) Kasaloviç, Dusan (Dragoljub) Jovanoviç, Ratomir (Radun) Bozovic, Branislav Rakic, si dhe shqiptari Petri (Salih) Salihu.
Kurse, për Korab (Mehush) Zogjani, thuhet se kërkohet si i dyshuar për veprën penale vrasje e rendë dhe për posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve.
Agron Ramadan Kryeziu, në fshatin Pagarushë i Malishevës, i cili ka fletarrestim vendor, policia thotë se po kërkohet është vrasje e rëndë dhe është në kërkim që nga viti 2007. Gjithashtu, po kërkohet edhe Ilir (Ymer) Avdullahu, në Prishtinë, me pseudonimin “LIZA”.
Policia po kërkon edhe 7 persona të dyshuar të cilët penguan promovimin e revistës “Kosova 2.0″.
Ata po dyshohen për veprat “Nxitja e urrejtjes, e përçarjes ose e mosdurimit kombëtar, racor, fetar a etnik; lëndim i lehtë trupor; shkelja e statusit të barabartë të banorëve të Kosovës; parandalimi ose pengimi i tubimit publik; dëmtim i pasurisë së luajtshme; që ndodhi më 14 dhjetor 2012 tek Salla e Kuqe në Pallatin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë”
Hetimi ‘Kosova 2.0’ përfshinë shtatë incidente të veçanta që janë duke u hetuar nga një ekip i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Përveç incidentit që ka ndodhur më 14 dhjetor 2012 tek Salla e Kuqe, Pallati i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ka pasur edhe disa incidente të tjera në ose afër datës së njëjtë.
Të gjitha incidentet kanë të bëjnë me veprat penale kundër komunitetit të lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transeksualëve (LGBT) në Kosovë.
Deri tani hetimet e policisë kanë rezultuar me identifikimin e 12 personave si të dyshuar të mundshëm për vepra të ndryshme, kundër 5 prej tyre Prokurori ka hapur një hetim formal.