Insajderi
Lajme

Policia ndërhyn në kohë në Ferizaj, bind 31-vjeçarin të dorëzojë armën dhe parandalon tragjedinë

Insajderi
07 August 2026 - 13:07
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Policia ndërhyn në kohë në Ferizaj, bind 31-vjeçarin të dorëzojë armën dhe parandalon tragjedinë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Policia e Kosovës ka arritur ta parandalojë një rast të rëndë në Ferizaj, pasi ka bindur një person 31-vjeçar të heqë dorë nga një situatë që dyshohet se mund të kishte përfunduar me vetëvrasje.

Rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 18:30, në Parkun e Lirisë në Ferizaj, ku Policia është njoftuar se një person i gjinisë mashkullore, rreth 31 vjeç, po tentonte t’i bënte keq vetes dhe dyshohej se kishte me vete një armë zjarri.

Sipas njoftimit të Policisë, pas marrjes së informacionit, pjesëtarët e Qendrës së Komunikimit Rajonal kanë kontaktuar menjëherë me personin dhe kanë mbajtur komunikim të vazhdueshëm me të, me qëllim qetësimin e situatës dhe bindjen e tij që ta largonte armën.

“Pas marrjes së informacionit, pjesëtarët e Qendrës së Komunikimit Rajonal kanë kontaktuar menjëherë me personin dhe kanë mbajtur komunikim të vazhdueshëm me të, me qëllim qetësimin e situatës dhe bindjen e tij që ta largonte armën me 6 fishekë dhe ta vendoste në një vend të sigurt deri në arritjen e patrullave policore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Më pas, në vendin e ngjarjes kanë reaguar menjëherë njësitet policore të Stacionit Policor në Ferizaj, të cilët kanë vazhduar komunikimin me personin, kanë arritur ta qetësojnë situatën dhe ta largojnë pistoletën që ai e kishte pranë vetes në një stol pushimi.

Falë komunikimit të vazhdueshëm mes njësiteve policore, personi është larguar me sukses nga zona e parkut dhe është vendosur në një vend të sigurt. Më pas, ai është shoqëruar në Stacionin Policor në Ferizaj, ku i është ofruar ndihma mjekësore dhe trajtimi i nevojshëm nga ekipi i Emergjencës.

Për rastin janë njoftuar prokurori i shtetit dhe familjarët e personit.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark