Referuar përkeqësimit të motit, të reshurave të shiut dhe mundësisë së paraqitjeve të ngricave në ditët në vijim, Policia e Kosovës me njësitë relevante të saj, do te ndërmarrë masa konkrete në ngritjen e nivelit të sigurisë në komunikacionin rrugor, si në aspektin parandalues, po ashtu edhe në atë veprues.
“Ne kemi zhvilluar në vazhdimësi një numër të madh të aktiviteteve në funksion të sensibilizimit të qytetarëve dhe vetëdijesimit të tyre lidhur me parandalimin e aksidenteve rrugore, duke filluar nga fushatat vetëdijësuese përmes spoteve të ndryshme televizive, broshurave, komunikatave, apeleve dhe informacioneve për publikun, me të vetmin qellim, parandalimit të aksidenteve dhe ngritjes së sigurisë në trafik”, thuhet në komunikatën e policisë.
Policia gjithashtu thotë se ka zhvilluar dhe implementuar plane operative policore konkrete duke ndërmarrë masat e nevojshme ligjore, përfshirë edhe shqiptimin e gjobave aty ku pjesëmarrësit në komunikacion kanë rënë ndesh me ligjin mbi sigurinë e komunikacionit rrugor.
“Policia e Kosovës vazhdon të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të jenë më të kujdesshëm dhe t’i respektojnë rregullat që dalin nga ligji për komunikacionin rrugor, t’i respektojnë shenjat e trafikut, si dhe të ju përshtaten kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike, sidomos në orët e hershme dhe të vona, në mënyrë që të parandalohen aksidentet dhe pasojat e mundshme në njerëz”, përfundon komunikata./Insajderi.com