Insajderi
Lajme

Policia në Gjilan godet rrjetin e hajdutëve, arrestohen gjashtë persona

Insajderi
19 May 2026 - 16:43
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Policia në Gjilan godet rrjetin e hajdutëve, arrestohen gjashtë persona
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjashtë persona kanë përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës pas një hetimi disa mujor lidhur me dyshimet për përfshirje në raste të vjedhjeve të rënda.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, aksioni është realizuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore në Gjilan.

“Pas një hetimi disa mujor dhe veprimeve intensive hetimore, përfshirë edhe zbatimin e masave të fshehta teknike të hetimit, sot më 19 maj 2026 janë identifikuar dhe arrestuar gjashtë persona të dyshuar meshkuj kosovarë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, gjatë hetimeve janë siguruar prova që të dyshuarit, në bashkëveprim mes vete, dyshohet se kanë kryer të paktën një rast të veprës penale “Vjedhje e rëndë”.

“Ekzistojnë dyshime se të njëjtit mund të jenë të përfshirë edhe në disa raste të tjera të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda, ndërsa hetuesit policorë janë duke vazhduar punën intensive për sigurimin e provave dhe ndriçimin e plotë të rasteve”, bën të ditur më tej policia.

Në kuadër të procedurave ligjore dhe me urdhër të gjykatës kompetente, policia ka realizuar kontrolle në disa lokacione: në Gjilan, Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar dëshmi materiale, përfshirë: tri automjete që dyshohet se janë përdorur në kryerjen e veprave penale dhe telefona celularë dhe prova të tjera relevante për hetimin.

Të arrestuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit, të gjashtë personave u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

“Hetimet lidhur me këto raste janë duke vazhduar”, thuhet në fund të njoftimit të Policisë së Kosovës. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark