Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të ulëta, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë e trotuare.
Apel i veçantë për autolarjet Policia u është drejtuar specifikisht pronarëve të autolarjeve që të kenë kujdes maksimal me derdhjen e ujërave.
Hedhja e ujit në rrugë dhe trotuare gjatë temperaturave në minus shkakton ngrica të menjëhershme, të cilat bëhen burim aksidentesh për automjetet dhe rrezikojnë drejtpërdrejt këmbësorët.
“Këto ngrica më pas paraqesin rrezik serioz për sigurinë e trafikut rrugorë duke shkaktuar aksidente dhe duke rrezikuar drejtpërdrejtë këmbësoret. Për këtë në bashkëpunim me organet kompetente komunale, jemi të obliguar të ndërmarrim masa të shtuara kontrolli dhe zbatimin e masave ligjore ndaj gjithë atyre që shkelin këto rregulla“, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia mbetet e përkushtuar për garantimin e rendit dhe u bën thirrje qytetarëve për bashkëpunim dhe përgjegjësi gjatë kësaj periudhe të acartë.