Policia e Kosovës ka përgënjeshtruar një raportim që ka qarkulluar në mediat serbe se kinse në pikën kufitare të Bërnjakut policë të Kosovës kanë tentuar të nxjerrin nga vetura një person e se KFOR-i e ka parandaluar incidentin.
Në një sqarim për media, Policia e ka quajtur këtë shkrim tendencioz e të pavërtetë.
Mediat në Serbi raportuan se sot në këtë zonë ka pasur një “situatë dramatike, ku kinse pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë tentuar të nxjerrin nga vetura një person për t’ia hequr tabelat e Serbisë dhe se KFOR-i e ka parandaluar incidentin”.
Megjithatë, sipas Policisë, ky raportim ka qëllim vetëm “dezinformimin e opinionit, nxitjen dhe krijimin e pasigurisë tek qytetarët dhe plotësimin e ambicieve të orientuara nga politikat e ndryshme nga jashtë”
“Referuar informacioneve zyrtare, të verifikuara mirë dhe saktë nga terreni, një rast i tillë nuk ka ndodhur fare, jo vetëm në pikën kufitare në Bërnjak por as edhe në ndonjë lokacion apo pikë tjetër kufitare, andaj kjo është vetëm një informatë e pavërtetë dhe tendencioze”, thuhet në sqarim të Policisë.
Policia ka thënë se është e angazhuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, përfshirë edhe mundësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.
Të hënën, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë. Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa RKS t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi. Masa nxiti reagimin e serbëve që me vetura e kamionë kanë bllokuar që tash e tre ditë rrugët në drejtim të pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak në veri. Policia e Kosovës me njësi të shtuara është duke qëndruar në këtë zonë.