Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të gjerë kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, pas shpërthimit të ndodhur më 30 prill 2025 në parkingun e QKUK-së në Prishtinë, ku një veturë Mercedes B-Class në pronësi të drejtorit të QKUK-së u bë objekt sulmi.
Më 9 shtator 2025, në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, policia ka realizuar bastisje në tri lokacione, dy në Prishtinë dhe një në fshatin Rimanishtë.
Si rezultat, janë ndaluar njëmbëdhjetë (11) persona të dyshuar dhe janë sekuestruar prova të shumta materiale.
Në rrugën “Fan Noli” në Prishtinë janë gjetur një telefon mobil i llojit iPhone 12, një laptop Lenovo dhe dokumente të ndryshme.
Në rrugën “Pavarësia” janë konfiskuar katër telefona celularë Samsung, një iPhone 14 Pro Max, një palë pranga metalike, një radio lidhje Baofeng dhe gjashtë fishekë të armës së shkurtër të kalibrit 9×19 mm.
Ndërsa në fshatin Rimanishtë janë sekuestruar një pistoletë e llojit Sig Sauer me një karikator dhe 12 fishekë, një armë automatike AK-47 me pesë karikatorë, 99 fishekë dhe një bajonetë, tri telefona të llojeve iPhone dhe Samsung, si dhe sasi e konsiderueshme e substancës narkotike që dyshohet për marihuanë, bashkë me mjete për kultivim dhe përpunim.
Në këtë lokacion ka ndërhyrë edhe njësia e Antidrogës -DHTN Prishtinë, e cila ka marrë në kompetencë trajtimin e mëtejshëm të rastit për narkotikë.
Nga bastisjet janë konfiskuar gjithsej 142 kg e 172 gr substancë narkotike (Kanabis Sativa) në fazë përfundimtare të përpunimit, një armë Sig Sauer 9×19 mm me karikator dhe 12 fishekë, një armë AK-47 me pesë karikatorë, 99 fishekë dhe një bajonetë, si dhe dhjetë telefona dhe pajisje të tjera relevante për rastin.
Gjatë verifikimit të të dyshuarit F.D., është konstatuar se ndaj tij ekziston një urdhër arrest aktiv për çështje të narkotikëve dhe me vendim të prokurorit ai është dërguar për vuajtje të dënimit.
Ndërkaq, pas intervistimit të të ndaluarve dhe në konsultim me prokurorin kompetent, nëntë persona janë ndaluar për 48 orë, ndërsa për të tjerët procedurat janë ndarë në raste të veçanta duke u përcjellë në njësitë përkatëse për trajtim të mëtejshëm.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë me veprime të koordinuara me organet e drejtësisë për ndriçimin e plotë të rastit dhe vënien e personave përgjegjës para drejtësisë.