Po ashtu duke synuar të jemi në hap me dokumentin SOCTA të Europol-it, Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Qendrën për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF), sot përmes një konference të hapur ka bërë lansimin e këtij dokumentit strategjik “Vlerësimi i Kërcënimit nga Krimet e Rënda dhe Krimi i Organizuar”- SOCTA (Serious Organized Crime Threat Assesment), të rëndësishëm për Policinë e Kosovës dhe Policinë e Shtetit Shqiptar .
Dokumenti SOCTA, paraqet vlerësimin e kërcënimit të trendeve aktuale dhe atyre të reja të pritura të krimeve të rënda dhe krimit të organizuar dhe përmban vlerësime të detajuara lidhur me format më të theksuara të krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, njofton Policia e Kosovës.
Vlerësimi bazohet mbi njohuritë ekzistuese, ekspertizën dhe është bërë në mënyrë që t’u mundësojë vendimmarrësve të ndërmarrin veprimet e duhura, për të iu kundërvënë kërcënimeve të përbashkëta të parashikuara.
SOCTA e përbashkët do të jetë një hap i rëndësishëm për të ngritur nivelin e bashkëpunimit në mes të autoriteteve të ndryshme kompetente brenda Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe do të kontribuojë në zhvillim të mëtutjeshëm të synimeve të përbashkëta në parandalimin dhe luftimin e krimeve të rënda dhe krimit të organizuar. /Insajderi.com