![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Në prani të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci është larguar dhunshëm nga një lokal, një vajzë e mitur lëmoshkërkuese. E mitura i takon komunitetit pakicë. Pamjet të cilat sot kanë pushtuar rrjetin, kanë tmerruar opinionin. Mosreflektimi dhe qëndrimi i akullt i ministrit Peci, po ashtu ka ngjallur reagime të shumta në publik.
Iu deshën disa orë që ministri i Bujqësisë, Faton Peci të reflektojë. Pasi mori kritika të shumta për mosreagimin e rastit të largimit të dhunshëm të së miturës në sytë e tij, Peci u shfaq në Facebook, shkruan Gazeta Insajderi.
Për të reaguar më shpejt, si duket e shtyri një postim i ish-ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli. Duke ironizuar me Pecin, Pacolli tha se duhet pasur “ndjenjat e ministrit” për të mos reaguar përballë kësaj situate.
Ndonëse u distancua nga ky rast, u kuptua qart se Pecit i kishte djegur postimi i Pacollit. Ministri e quajti Pacollin “politikan të Kremlinit”.
Ai tha se Pacolli është ai që na ka bindur se nuk duhet të keqpërdoren publikisht rastet e njerëzve në nevojë përmes “kinse fondacionit të tij”.
“Politikanit të Kremlinit dhe atyre të financuar nga burimet të ngjajshme i them që nuk do të kenë rast të zbulojnë “skandale” nga pozita që e ushtroj me shumë përgjegjësi, ndaj i mbeten të kujdestarojnë nëse unë do të jem aksidentalisht pjesë e ambienteve ku abuzohet me të tjerë, në këtë rast një fëmijë”, shkruan Peci në postimin e tij.
Si e bëri presidente Vjosa Osmanin vota e Behgjet Pacollit?
Më 4 prill të vitit 2021, Kuvendi i Kosovës me 71 vota për, zgjodhi Vjosa Osmanin presidente të Republikës. Osmani fitoi në raundin e tretë të votimit, ku morën pjesë 82 deputetë.
Kuorumin për zgjedhjen e Osmanit ia mundësoi ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në opozitë.
Për të ardhur në postin të cilin si e vogël e kishte ëndërruar, shefja e ministrit Peci atëherë e kishte mëse të nevojshme votën e Behgjet Pacollit.
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, ishte deputet i Grupit Parlamentar të LDK-së. Në një rast, Pacolli kishte treguar se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e kishin takuar për t’ia shpjeguar se pse duhej vota e tij.
Pasi në tentimin e parë Osmani e kishte të pamundur të zgjedhej edhe pse ai ishte prezent, në rastin tjetër iu kish dashur të kthehej nga udhëtimi.
I pari i AKR-së, në një intervistë rrëfeu detaje, se si Vjosa Osmani e telefonoi dhe e obligoi të kthehej nga pushimi për ta bërë presidente.
“Unë pata udhëtuar, isha me fëmijët e mijë për një vend në pushime dhe u nisa me ta, me të arritur në Stamboll duke hypur ne aeroplan, unë marrë një telefonatë nga zj. Osmani dhe thotë se nëse është e mundur mbas dy orësh do të ketë seancë, ishte ora 16 dhe në 18 duhet të niste seanca … po po direkt me ka telefonuar Vjosa Osmani”.
“Politikani i Kremlinit” që e bëri Osmanin presidente, deklaroi se nuk kishte asnjë llojë marrëveshje për votën e dhënë. Ai theksoi se e bëri vetëm për zhvillimin dhe të ardhmen e vendit. /Gazeta Insajderi