Porositë e Isa Mustafës për rivalët politik - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Porositë e Isa Mustafës për rivalët politik

    Insajderi
    23 December 2016 - 12:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri Isa Mustafa, që njëherësh është kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shfrytëzuar një ceremoni për shënimin e 27-vjetorit të themelimit të partisë për të dërguar mesazh tek rivalët politik se LDK është duke punuar “fort” për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare të vendit.

    Duke iu drejtuar anëtarëve të partisë, Mustafa ka thënë se edhe partneri i tyre qeverisës, PDK, vazhdon të jetë rivali kryesor porse rrethanat e krijuara para dy viteve e kanë bërë të domosdoshme nënshkrimin e një koalicioni.

    “Si kryetar i LDK-së, ashtu sikurse ju, besoj se e dini që PDK ka qenë edhe është rivali ynë kryesor. Por ne jemi të përcaktuar që të bëjnë koalicion të nxjerrim Kosovën nga kriza politike”, ka thënë ai.

    “Në këtë rast ne nuk jemi nisur nga rivalitetet politike sepse ato i kemi pa të përfunduara në zgjedhje, por nga interesi i vendit dhe vendime që mund të marrin vetëm dy subjekte të tilla politike”, ka shtuar Mustafa duke rikujtuar ngërçin politik të vitit 2014.

    Mustafa ka thënë se partia që ai drejton vazhdon të jetë forcë në politikën e Kosovës, dhe në këtë drejtim asnjë vendim me rëndësi për vendin nuk mund të merret pa bekimin e LDK-së.

    “Pa vendosur edhe LDK, në Kosovë as nuk janë marrë e as nuk merren vendime të rëndësishme për shkak se LDK jo vetëm që është forcë serioze politike, por subjekt vendimarrës në Kosovë për 27 vjet me radhë dhe e tillë do të jetë derisa gëzon mbështetjen e madhe të qytetarëve.”

    Ai ka shtuar se LDK është e gatshme për zgjedhje parlamentare por kjo nuk do të ndodhë deri në vitin 2018.

    “Një mesazh për opozitën: LDK është e gatshme për zgjedhje në çdo kohë, por LDK respekton mandatin legjitim të fituar nga qytetarët dhe nuk e flijon këtë besim për asnjë interes”, ka thënë ai.

    E kur të mbahen zgjedhjet lokale vitin tjetër, LDK synon që të fitojë edhe më shumë komuna, është zotuar Mustafa.

    Sipas tij,  27 vjet pas themelimit, LDK ka ruajtur orientimin e saj të cilët sipas tij e ka nisur ish-presidenti Ibrahim Rugova.

    “Detyra e LDK-së sot nuk është përballja me pushtetin e egër por ka detyrë të vihet në krye të lëvizjes për ruajtjen e kursit pro-perëndimor të Kosovës. Në këto dy vjet LDK ka dëshmuar që është e palëkundur në orientimin euro-atlantik të saj”, ka thënë ai./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark