×
  • Lajme
  • Lajme

    Portali francez: Insajderi.com, rilindja e gazetarisë hulumtuese

    Insajderi
    03 February 2016 - 14:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Pse keni vendosur të krijoni portalin insajder.com dhe cilat janë resurset tuaja fillestare?

    Kajtazi: Arsyeja e parë pse kemi vendosur ta krijojmë gazetën online Insajderi ka qenë ideja që të shtohet një medium që ekskluzivisht do të merret me gazetari hulumtuese brenda një tregu që nuk ka shumë gazetari të tillë. Unë dhe kolegu Parim Olluri, i cili ka punuar disa vjet në BIRN si gazetar hulumtues, kemi menduar dhe vlerësuar se bashkimi i forcave tona në një medium të ri, do të sillte rezultate konkrete në fushën e gazetarisë hulumtuese. Projekti fillon me dhjetë gazetarë me pretendimin për t’u rritur.

    Si themelues të portalit keni punuar në një grup mediatik si Grupi KOHA që njihet si i hapur. Megjithatë e braktisët për të krijuar portalin tuaj. Pse?

    Kajtazi: Në “Kohën Ditore” kam punuar rreth gjashtë vjet. Aty kam pasur hapësirë të madhe dhe mbështetje për shkrimet e mia hulumtuese dhe të ndjeshme që kanë pasur ndikim jo vetëm në vend, por deri në Bruksel siç ishte afera e korrupsionit në EULEX. Vendimi për të hapur gazetën online nuk lidhet me Grupin KOHA, por me interesat e mia për themeluar një mediumi që pos shkrimeve të mia do të ketë edhe hulumtime tjera të kolegëve.

    Cilat janë fushat kryesore që do të trajtoni?

    Kajtazi: Fokusi jonë kryesor mbetet korrupsioni, krimi i organizuar, krimet e luftës si dhe terrorizmi. Qysh ne daljen e parë do të publikojmë disa shkrime hulumtuese përfshirë një letër që ISIS i ka dërguar ish-kryeministrit Hashim Thaçi me të cilën e paralajmëron që të mos rreshtohen në krah të Amerikës dhe perëndimit por në krah në “myslimanëve të shtypur”. Ditët në vazhdim do të sjellim edhe hulumtime tjera përfshirë një hulumtim për keqpërdorime fondesh nga zyrtarët më të lartë të shtetit.

    Kosova njihet për shumësi mediash. Mbase mendohet se ka tepër. Sa mund të pretendohet veçori në këtë shumësi?

    Kajtazi:  Gjithmonë ka hapësirë edhe për një medium të ri serioz dhe të profilizuar në gazetari hulumtuese. Nuk pretendojmë të bëjmë “mrekulli”, por besoj se do të sjellim shkrime me interes për publikun dhe vendin. Ne ende kemi nevojë për media që merren me gazetari hulumtuese sepse në Kosovë ka pak të tilla. Insajderi do ta zë vendin e vetë në këtë hapësirë.

    Burimet e informatave duken mjaft të mbyllura kur i përket çështjeve të krimeve të luftës, krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sa mendoni se do të mund t’i siguroni për të prodhuar informim përmbajtjesor lidhur me këto tema?

    Kajtazi: Do të mundohemi që edhe tek kolegët tjerë të ndikojmë që të punojnë dhe raportojnë vetëm me fakte-dokumente. Dokumente të tilla ka boll, vetëm duhet të hyjmë dhe t’i gjejmë ato. Besoj se edhe në të kaluarën kemi ditur të gjejmë rrugën për ti gjetur dhe publikuar këto dokumente.

    Kriminaliteti dhe korrupsioni janë rrjete rajonale dhe ndërkombëtare. A do të bashkëpunoni me grupe mediatike rajonale serioze që trajton këto tema dhe si e mendoni këtë bashkëpunim?

    Kajtazi: Insajderi është i hapur për bashkëpunim me të gjitha ato media që kultivojnë gazetarinë hulumtuese. Kosova ka të lidhur shumë probleme të saj me shtetet e rajonit si Serbia e Shqipëria. Besoj se do të kemi shkrime për krimin ndërkufitar dhe ndërshtetëror. Për këto hulumtime është i domosdoshëm bashkëpunimi me kolegët dhe mediat nga rajoni. Ne çmojmë dhe mirëpresim këtë bashkëpunim që në fund të fundit është në të mirë të qytetarëve.

    (Kjo intervistë është prodhuar në partneritet me Osservatorio Balcani e Caucaso për Qendrën Evropiane për lirinë e shtypit dhe të mediave (ECPMF ) e bashkëthemeluar nga Komisioni Evropian)

    Intervistën në gjuhën frenge mund ta lexoni këtu: http://www.courrierdesbalkans.fr/articles/kosovo-entretien-vehbi-kajtazi.html

     

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark