Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka hedhur akuza të rënda në drejtim të partive opozitare, pas vendimit të marrë nga Lista Serbe që të gjithë përfaqësuesit serbë në të gjitha institucionet e Kosovës të lënë detyrën.
Përmes një shkrimi në Facebook, Haxhiu tha se qendrimet e opozitës janë të turpshme dhe se po i përmbushin apetitet e presidentit serb Aleksander Vuçiq, shkruan Insajderi.
Kjo sipas saj, po bëhet për shkak se subjektet opozitare kanë lidhje me strukturat kriminale e disa e kanë mendjen vetëm tek pushteti.
“Janë për keqardhje dhe të turpshme qëndrimet e subjekteve opozitare. Fatkeqësisht opozita e sotme apo qeveria e djeshme as atëherë as tash nuk mbështesin vendimet e drejta, madje sot vuajmë pasojat e marrëveshjeve të tyre të dëmshme. Ata duan që t’i lëshojmë pe Serbisë e të përmbushen apetitet e Vuçiqit, disa për shkak të lidhjeve me strukturat kriminale e disa të tjerë e kanë mendjen veç tek pushteti”, tha Haxhiu.
Por, konsideroi se vendimet e Qeverisë Kurti janë të drejta dhe kanë për qëllim mbrojtjen e sovranitetit.
“Vendimet e Qeverisë janë të drejta dhe të ligjshme. Qëllimi i tyre është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial prandaj edhe do të duhej të kishte unifikim rreth tyre”, shkroi e para e Drejtësisë.
Përfaqësuesit serbë në të gjitha institucionet e Kosovës sot kanë vendosur të largohen në shenjë revolte pas ndaj vendimit të kryeministrit Albin Kurti për targat dhe për vendimin për suspendimin e drejtorit rajonal të Policisë në veri, Nenad Gjuriq./Insajderi.org/