Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka shprehur kritika ndaj qasjes së kryeministrit Albin Kurti në lidhje me ofertat drejtuar partive opozitare.
Mustafa theksoi pakënaqësinë e tij për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet pozita e Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke e cilësuar shqetësuese faktin që një person i zgjedhur së fundmi në këtë funksion mund të zëvendësohet lehtësisht.
Sipas tij, kjo qasje dëshmon mungesë serioziteti ndaj institucioneve shtetërore.
“Mua më vjen keq që Kryetarja e Kuvendit të shtetit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentit trajtohet në këtë mënyrë nga z. Kurti. Me zgjedh dikë para një muaji Kryetare të Kuvendit dhe me thënë aq lehtë që e heqi atë e bëj nënkryetare, kjo flet për rëndësinë që ia jep pozitave të ndryshme në shtet”, deklaroi Mustafa në Klan Kosova.
Ai shtoi se Kurti synon të jetë figura kryesore në shtet, duke lënë në hije pozitat e tjera të larta institucionale.
“Albin Kurti dëshiron që vetëm ai të jetë personi i rëndësishëm në shtet. Për të, Kryetari i Kuvendit dhe Presidenti duken si pozicione periferike që kanë një rol ndihmës ndaj kryeministrit”, u shpreh ai.