×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Pranoi fajësinë për falsifikim të numrit të votave, ministri Peci nuk e shkarkon këshilltarin e tij

    Insajderi
    24 January 2023 - 20:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Enis Osmani, aktualisht këshilltar politik i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci ka pranuar gjatë ditës së djeshme fajësinë për  falsifikim të rezultateve të votimeve në zgjedhjet e vitit 2017. Megjithatë siç duket ministrit Peci nuk i ka lënë përshtypje, pasi i njëjti nuk e ka shkarkuar nga detyra atë.

    Ai pranoi se ka falsifikuar rezultatet në një qendër votimi në fshatin Bare të Mitrovicës.

    Osmani ka thënë se kjo ka mundur të ndodhë për shkak të neglizhencës dhe lodhjes pasi të njëjtën ditë ka punuar rreth 27 orë

    “Ndoshta ka qenë puna që iu kam besuar më shumë se që duhet anëtarëve të komisionit, më vjen keq për këtë që ka ndodhur, premtoj se nuk do ta përsëris asnjëherë”, deklaroi Osmani dje në  shqyrtimin fillestar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

    Por, megjithëse ai u përfshi në këtë falsifikim dhe pranoi fajin, ministri i bujqësisë Faton Peci nuk e ka shkarkuar të njëjtin nga detyra e këshilltarit politik brenda kabinetit të tij.

    Poashtu në profilin e ministrit Peci nuk ka asnjë reagim në lidhje me këtë çështje.

    Postimet e ditës së djeshme Peci i ka fokusuar më shumë në pjesën e vërshimeve dhe 107-vjetorin e vrasjes së heroit të Pavarësisë së Shqipërisë, Isa Boletinit.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 7 shkurt 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Enis Osmanit sepse me datën 11 qershor 2017 rreth orës 19:00, në fshatin Bare – Mitrovicë, saktësisht në shkollën fillore “Xhevat Jusufi”, i pandehuri Enis në vendvotimin me numër 1115B/02D për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në cilësinë e kryesuesit të këtij vendvotimi, duke keqpërdor pozitën, detyrën apo autorizimet e tij lidhur me zgjedhjet, ka shtuar dhe hequr votat kandidatëve brenda subjekteve politike, raporton Betimi për Drejtësi.

    Sipas aktakuzës, gjatë numërimit të tyre, duke i hequr votat disa kandidatëve dhe duke iu shtuar votat disa kandidatëve të tjerë, i regjistron në mënyrë të pasaktë gjithsej 246 vota, 228 prej tyre si vota të shtuara dhe 18 prej tyre si vota te hequra, prej tyre të shtuara 56 për PDK, 112 për LDK dhe 60 për LVV dhe të hequra 8 për PDK dhe 10 për LDK.

    Me ketë kishte për ta kryer veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit” nga neni 219 par.2 të KPRK-së.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark