Insajderi
Hulumtime/Analiza

Prapaskenat e tenderit 20 milionësh të MSH-së: Dyshimet për favorizim dhe shkelje ligjore

Insajderi
10 February 2026 - 15:11
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Prapaskenat e tenderit 20 milionësh të MSH-së: Dyshimet për favorizim dhe shkelje ligjore
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
Shkruan: - Blenera Karaxha

Tenderi 20 milionësh i Ministrisë së Shëndetësisë për “Ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Emergjente në QKUK” ka ngritur dyshime të shumta. Tri kompani kanë dorëzuar ankesa në Gjykatën e Tenderëve, duke kërkuar shqyrtimin e procesit. Ministria e drejtuar nga Arben Vitia që përballet me akuza për favorizim dhe shkelje ligjore, ka mohuar kategorikisht këto pretendime.

Gazeta Insajderi

Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve ekonomikë “Construmax” SH.P.K., “Top Projekt” SH.P.K., “Harst Group” SH.P.K. dhe “Ekotermika” SH.P.K. për projektin “Ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Emergjente në QKUK – vazhdim projekti”, ndonëse në këtë tender kishte oferta më të lira nga kompani të tjera.

Dosja tregon se oferta fituese është rreth 300 mijë euro më e shtrenjtë se ato të disa operatorëve të tjerë, duke ngjallur dyshime për menaxhimin e fondeve publike.

Për këtë aktivitet janë paraqitur disa ankesa, në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Ankesa, pezullim dhe dyshime për shkelje ligjore

Procesi i prokurimit ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), pas paraqitjes së tri ankesave nga tre konsorciume të kompanive pjesëmarrës.

Si pasojë, Ministria e Shëndetësisë ka pezulluar kontratën, vlera e së cilës kap shifrën prej rreth 20 milionë eurosh.

Në të tri ankesat, kompanitë pretendojnë se ministria e Arben Vitisë ka favorizuar konsorciumin e fituesve të kontratës.

Sipas tyre, MSH ka diskriminuar disa operatorë dhe ka dëmtuar buxhetin, duke shpallur fitues ofertuesin më të shtrenjtë.

“Po ashtu AK nuk e ka respektuar edhe nenin 6 të LPP-së, edhe pse autoritetet kontraktuese janë të obliguar që të sigurojnë që fondet publike dhe burimet publike të përdoren në mënyrën më ekonomike. Autoriteti Kontraktues duhet të ketë në konsideratë pasi oferta jonë është më e lirë se oferta të cilën kanë rekomanduar për të shpërblyer me kontratë për 123,161.12 €. andaj në mënyrë te vetëdijshme kanë tentuar të dëmtojnë buxhetin e Republikës së Kosovës“.

Lejime jashtë afatit dhe standarde të dyfishta

Në ankesë pretendohet se Ministria e Shëndetësisë i ka lejuar një operatori ekonomik korrigjime thelbësore në ofertë pas afatit ligjor të dorëzimit, ndërkohë që operatorë të tjerë janë refuzuar për të njëjtin shkak.

Sipas ankuesit, një pjesë e dokumenteve të stafit profesional të grupit fitues janë plotësuar pas dorëzimit të ofertës, duke krijuar avantazh të padrejtë në procesin e vlerësimit.

“Nëse një operator penalizohet për vonesë (jashtë afatit), atëherë i njëjti standard duhet të zbatohet për të gjithë operatorët, pa përjashtim. Lejimi për disa operatorit që të modifikojë ofertën pas afatit, ndërkohë që operatorëve të tjerë u refuzohet çdo e drejtë procedurale për të njëjtin shkak, krijon dyshime serioze për favorizim të qëllimshëm të operatorit fitues“.

Në njërën prej ankesave thuhet se MSH ka cenuar parimin e konkurrencës së ndershme.

“Ky trajtim selektiv, përbën shkelje të parimit të trajtimit të barabartë të garantuar me nenin 7 të Ligjit për Prokurimin Publik“.

Dyshime për mospërmbushje kriteresh

Sipas ankuesve, dokumentacioni i konsorciumit të shpallur fitues ka qenë i paplotë në disa aspekte thelbësore, përfshirë autorizimet për përfaqësim, aneksin e grupit të operatorëve, garancinë financiare, përvojën profesionale.

“Autoriteti Kontraktues nuk ka kërkuar nga personi i autorizuar dëshminë përkatëse nga gjykata që vërteton se i njëjti nuk është nën hetime. Kjo paraqet shkelje të parimit të trajtimit të barabartë, transparencës dhe zbatimit të njëjtë të kritereve ligjore ndaj të gjithë Operatorëve Ekonomikë“, thuhet në ankesë.

Ankesa përmend gjithashtu se grupi i operatorëve të shpallur fitues nuk ka dëshmuar realizimin e një projekti spitalor me vlerë të madhe, siç kërkohej në dosjen e tenderit, si dhe nuk ka përmbushur kriteret financiare dhe profesionale.

Sipas pretendimeve, referencat e paraqitura nuk kanë pasur të dhëna të plota, ndërsa disa projekte kanë qenë jashtë periudhës së kërkuar nga procedura e prokurimit.

Sipas ankesës, kompanitë fituese të tenderit nuk e kanë përmbushur as kriterin thelbësor për pajisjet.

“Nga analiza e dokumentacionit të dorëzuar, konstatohet se GOE i rekomanduar ka tejkaluar kërkesën, duke ofruar një pajisje me kapacitet 600 kg, që tejkalon kërkesën e përcaktuar nga Autoriteti Kontraktues. Theksohet se kërkesa specifike ka qenë deri në 500 kg, dhe jo mbi 500 kg, prandaj ofrimi i pajisjes me kapacitet më të madh nuk përputhet me specifikimet teknike të përcaktuara dhe mund të konsiderohet mos-përmbushje e kërkesës së përcaktuar”, thuhet në ankesë.

Sipas tyre ky trajtim selektiv përbën shkelje të parimit të trajtimit të barabartë, transparencës dhe konkurrencës së ndershme, të garantuara me Ligjin për Prokurimin Publik.

Qëndrimi i grupit fitues

Në një përgjigje për Insajderin, kompania “Construmax” SH.P.K. ka mohuar pretendimet për favorizim.

Sipas tyre nuk ka pasur korrigjime të dokumenteve pas afatit ligjor.

“Nuk kemi bërë korrigjime të dokumentacionit. Autoriteti Kontraktues ka zbatuar dispozitat ligjore për sqarime, të lejuara sipas legjislacionit të prokurimit publik, dhe ne kemi dhënë vetëm sqarime brenda të drejtave tona ligjore”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.

Në përgjigje thuhet se garancia financiare është dorëzuar në përputhje të plotë me kërkesat e dosjes së tenderit, ndërsa përvoja profesionale dhe projektet e realizuara janë dokumentuar zyrtarisht gjatë procedurës së prokurimit.

“Nuk kemi plotësuar apo ndryshuar dokumente. Janë dorëzuar vetëm sqarime të kërkuara nga Autoriteti Kontraktues, ashtu siç e parasheh ligji. Si grup operatorësh ekonomik kemi përvojë të konsiderueshme në projekte të kësaj natyre. Të gjitha dëshmitë për përvojën profesionale, përfshirë projekte me sisteme medicinale, ventilim dhe klimatizim, janë dorëzuar zyrtarisht në procedurën e prokurimit. Çdo operator ekonomik ka të drejtë ligjore të paraqesë ankesë në OSHP ose institucione tjera. Pretendimet e tyre trajtohen nga ekspertët shqyrtues dhe paneli i OSHP-së, të cilët janë organet kompetente për vlerësim. Ne i respektojmë procedurat dhe do t’i nënshtrohemi vendimit të tyre“, thuhet në përgjigje.

MSH-ja mohon kategorikisht akuzat për diskriminim ndaj operatorëve të tjerë

Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se nuk ka favorizuar dhe as diskriminuar asnjë ofertues.

“Vlerësimi është bërë në përputhje me kërkesat e Dosjes së Tenderit dhe Ligjit për Prokurimin Publik. Lënda është pezulluar pas paraqitjes së tri ankesave në OSHP dhe aktualisht është në pritje të shqyrtimit nga ana e OSHP-së”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Tutje, Ministria thotë se arsyeja pse kompanive të tjera nuk iu kërkuan sqarime, përveç konsorciumit fitues, është se ato ishin të papërgjegjshme në kriteret e tjera.

“Ofertat e eliminuara kanë pasur arsye të shumta për eliminim, prandaj komisioni vlerësues nuk e ka parë të nevojshme të kërkojë sqarime për ofertat që janë konstatuar si të papërgjegjshme dhe me mangësi të shumta. MSH i ka besuar komisionit vlerësues, i cili ka përbërje profesionale me inxhinierë dhe ekspertë të certifikuar në prokurim. Sidoqoftë, edhe ky është pretendim ankimor në OSHP dhe pritet shqyrtimi nga ana e OSHP-së. Për këtë arsye, në këtë fazë nuk mund të bëjmë komente shtesë mbi këtë pretendim, pasi ankesat janë duke u shqyrtuar dhe pritet vendimi i OSHP-së.

Ndërkohë, OSHP ende nuk ka marrë vendim lidhur me këtë tender. ”/insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark