Fatos Aliu ka gati një dekadë që i ka ndarë përfundimisht rrugët me Lëvizjen që dikur vet e themeloi, “Lëvizjen Vetëvendosje”.
19 vjet pas themelit, “Lëvizja e Aliut” ka ndryshuar shumë.
Në një rrëfim të gjatë për Infokusin, Fatos Aliu ka zbuluar shumë të pathëna për organizimin e Vetëvendosjes, mungesën e demokracisë brenda partisë, Dejona Mihalin, e dëshpërimin e tij me Albin Kurtin si kryeministër.
Aliu ka kritika edhe për qasjen e qeverisë ndaj dialogut me Serbinë.
“A po realizohen kërkesat e Serbisë deri në pikë të fundit, krejt janë duke u realizu. Prej A deri në Zh të gjitha pikat strategjike Serbia i ka realizu. Ti kurrë nuk e përmend bile në agjendë, qysh me hy unë në bisedë pa disa elemente bazike për shqiptarët e Luginës. Politikat e shqiptarëve po ia mundësojnë Serbisë që t’i realizoj kërkesat e tyre. Ia kanë mundësu dhe po ia mundësojnë”, thekson ai.
Duke folur për dëshpërimin e tij me qeverinë e Vetëvendosjes, Aliu thotë se më së shumti po e pëson rinia.
“Ne nuk po tregojmë shembull për gjeneratat e reja. Prekna shumë kur flas për gjeneratat e reja. Na lindin kapacitete të reja, të cilat shkojnë poshtë, nuk shfrytëzohen kapacitetet e tyre dhe shumë prej tyre punojnë ose kamariera ose ku e di unë, do të thotë nuk u shfrytëzohet potenciali. Ky është dëmi më i madh që po i bëhet Kosovës”, thotë Aliu i emocionuar në një pjesë të intervistës.
Aliu është i pakënaqur edhe me vëllanë ministër, Liburn Aliun. Për të, ka shumë kritika.
“Këtu nuk ka vllaznillak, këtu nuk ka familje. Sikurse që nuk ka familje për me e mbrojtë të keqen, edhe familja nuk vlen kur ti je në pushtet dhe e pengon të familjes me kontribu brenda shtetit”.
Madje, ai i ka konsideruar “mafiozllëqe” arrestimet e fundit në ministrinë e Liburn Aliut.
“Kur ka brenda kësi mafiozllëqe, kur ndërhyn prokuroria, aty nuk ka familjarizëm. Nuk mund ta mbroj unë askënd që ka hy në këto, as nuk e mbroj, as nuk ka nevoj me më mbrojtë. Se shteti është mbi të gjitha, kombi mbi të gjitha. Se pa shtet nuk ka familja. Familja është qelula e kombit, e shoqërisë. Ama shteti është ai që e mbron qelulën, pa shtet qelula nuk ka jetë të shëndoshë, nuk zhvillohet në mënyrë të shëndoshë”, ka theksuar njeriu që dikur i bëri bashkë në Vetëvendosje, Liburn Aliun e Albin Kurtin.
Në një pjesë të rrëfimit, Fatos Aliu ka folur edhe për ndikimin e Dejona Mihalit në Lëvizjen Vetëvendosje, në qeveri, në deputetë e në ndërmarrje publike.
Të gjitha këto, ai ka thënë se Dejona Mihali i bënë pasi është njeriu kryesor i Albin Kurtit.
“A e njihni personalisht Dejona Mihalin? Njifna mirë, njifemi. Nuk i di prapaskenat e asaj. Ajo ka fuqi aty normal, qysh thojnë qashtu është. Direkt është e Albinit dhe është koordinatore e komiteteve dhe komitetet veç e veç nuk vendosin pa qenë edhe ajo dakord. Unë kam qenë në komitetin e energjisë dhe nuk jam pajtu dhe atyre ju ka ardhë zor që s’po pajtohna… A është e saktë kjo që po thuhet tash që Dejona Mihali kontrollon gjithçka? Ajo qashtu është koordinatore për gjithçka e ka atë aftësi. Do të thotë ja ka dhënë këtë mundësi, por ajo është e lidhur direkt me Albinin”, ka treguar Aliu.
Përfshirjen e Dejona Mihalit në shumë vendime shtetërore, ai e konsideron si gabim dhe kërkon që këto raste të hetohen nga Prokuroria.