×
  • Lajme
  • Insajderi

    Premtimet e PDK-së: Paga minimale 300 euro, pensionet do të rritën 30-40 për qind

    Insajderi
    17 January 2021 - 18:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj së bashku me nënkryetarin e PDK-së dhe kandidatin për deputet, Bedri Hamza kanë prezantuar sot programin e Partisë Demokratike të Kosovës për Rimëkëmbje ekonomike.

    Hamza duke prezantuar pikat konkrete të planprogramit për Rimëkëmbje ekonomike ka theksuar se nën qeverisjen e PDK-së vendi do të ketë rritje ekonomike 5 % – 7 %, ku përmes masave konkrete do të mbështeten sektori privat, përfituesit e ndihmave sociale dhe pensionistët, si dhe të punësuarit në sektorin privat dhe publik.

    Ndër tjerash me këtë plan parashihet fond mbi 1 miliardë euro për ekonominë në krizë, ngritje të pagës minimale deri në 300 euro dhe rritje pensionesh deri në 40%.

    Fjala e Hamzës:

    Programi jonë i Rimëkëmbjes dhe  zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, do të arrijë nje rritje të qëndrueshme ekonomike e cila do të shkoj  prej 5 % deri 7 %, duke u dhënë prioritet investimeve  për shëndetësi, arsim dhe kërkime shkencore, infrastukturë të re, rend dhe ligj duke përfshirë edhe prioritet tjera, që do të sjellin zhvillim ekonomike jo vetëm për vitet 2021 – 2025, por edhe për dekadat e ardhshme.

    Në Programin tonë të Rimëkëmbjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik kemi masa konkrete për ta mbështetur:

    1. Sektorin Privat

    2. Përkujdesin ndaj shtresës sociale dhe pensionisteve dhe

    3. Të punësuarit në sektorin privat dhe publik.

    Sektorin privat do ta mbështesim me këto masa:

    1. Mbi 1 Miliardë euro për rimëkëmbje

    2. Do të ketë likuiditet shtesë për sipërmarrjen, do të themelohet fondi për të ndihmuar ndërrmarjet tona në shumë mbi 500 milion euro ( pesëqind milion euro), në formë të mbeshtetjes financiare për biznese, të cilat kanë vështirësi për të funksionuar si duhet për vitin e parë por do të ketë përkrahje edhe për vitet tjera të qeverisjes tonë. Këto mjete (para pa kthim) do t’u jepen bizneseve sipas kritereve dhe kushteve të caktuara në Ligjin e buxhetit të shtetit.

    3. Qeveria e Republikës së Kosovës do të marrë përsipër pagesat e shumës së interesit të huamarrjes që janë marrë në bankat komerciale të Kosovës nga prodhuesit të cilët eksportojnë mallra jashtë Kosovës, Ndërmarrjet të cilat merren me agrobiznes dhe përpunimin e produkteve agrare.

    4. Tatimin e Vlerës së Shtuar (TVSH) nuk do të paguhet nga ana e biznesit në kufi , siç ka ndodhur deri tash, por mbledhja përkatsisht pagesa  e TVSH-së do të bëhet në brendi të vendit. Ky do të ketë likuiditet plotësues shtesë  shumë më i madh për bizneset sesa që kishte deri tash.

    5. Tatimin në të Ardhura të Korporatave do të ulet për disa vite të caktuara nga 10 %, sa ishte deri më tani, në 8%, 7%, 5% dhe 0% varësisht nga investimet dhe numri i të punësuarve.

    6. Rritjen e kapitalit të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive do të shkojë deri në 100% për të mbështetur apo për të garantuar projekte të ndryshme investuese në shumë prej 100% për bizneset.

    7. Do të futen skemat e garancisë për të forcuar pozicionet e kolateralit në hua, ndërkaq fondet për këto skema do të sigurohen nga shteti, do të rregullohet cështja e trajtimit të Hipotekave dhe e lartësise së hipotekës që vendosen të merren për kredi.

    8. Për çdo vit do të krijohet një linjë buxhetore në shumën prej 15 milion euro në buxhetin e shtetit për t’i mbështetur financiarisht nëpërmjet granteve (para pa kthim) të rinjtë dhe të rejat që kanë ide biznesi në formë të vetëpunësimit.

    Do të përkujdesemi  ndaj shtresës sociale dhe pensionerëve me këto masa:

    1. Do të rritet shuma e ndihmës sociale mbi 30 % për të gjithë përfituesit e ndihmës  sociale.

    2. Do të ketë rritje të të gjitha llojeve të pensionit varsisht prej kategorise se pensionit dhe reforma të thella për trajtimin e drejtë dhe të barabartë të të gjithë qytetarëve pensionistë, duke përfshirë në skemat e kontributdhënësve ata qytetarë të cilët kanë pasur pengesa për arsye të mungesës së 15 viteve , ku do te jete pension i shkallezuar sipas perqindjes dhe viteve.

    3. Nga rritja e pensioneve do të përfitojnë:

    i). Pensionistet e moshës ……… 40 %,

    ii). Pensionistet kontributdhënëse 30 %,

    iii). Pensionit veteran te luftes …..30%, dhe

    iv). Të gjithë pensionet tjera ne shumën e 30%.

    4. Familjet e dëshmoreve  do të realizojnë pensione varësisht nga numri i anëtarëve dëshmorë që kanë.

    5. Do të rregullohet çështja e pensioneve ku pensionistët e moshës do të ju lejohet që të jenë përfitues edhe i pensioneve tjera ku i plotësojnë  kushtet me ligj.

    6. Veteranëve  nuk do të ju ndërpritet pensioni i veteranit nëse kanë kontratë  pune.

    7. Pensionistët  që gëzojnë pensione bazike nuk do të jenë të detyruar që të zgjedhin në mes të cilit  pension me marr, por do ta marrin pensionin e moshës dhe pensionin tjetër që ja njeh ligji.

    8. Do të reduktohet norma TVSH-së për gjëra ushqimore për konsum të përditshem të qytetarëve, e cila do të llogaritet dhe paguhet prej tetë përqind (8%) nga 18 % sa eshte tani  për furnizimin e mallërave dhe importin e tyre në Republikën e Kosovës.

    9. Do të lirohen nga TVSH-ja barnat të cilat importohen dhe prodhohen në vendin tonë.

    Do të marrim këto masa për t’i mbështetur të  punësuarit në sektorin privat dhe publik:

    a) Paga minimale do të rritet nga 170 euro, sa është tani në 300 euro.

    b)  Në marrëveshje me partnerët socialë, legjislacioni i punës me theks të veqantë  ligji i punes i cili do të rishqyrtohet në mënyrë që të krijojë një kornizë ligjore cilësore për inkurajimin e aktiviteteve sipërmarrëse, të zvogëlojë barrën administrative të punës dhe të sigurojë kushte dinjitoze të punës me mbrojtje maksimale të punësuareve dhe punëdhënseve.

    c)  Do të rritet numri i Inspektorëve  të  Punës, i cili numër  do të jetë i mjaftushëm për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit të punës dhe mbrotjen e të drejtave të punësuarëve.

    d) Me qëllim të rritjes së pagave në sektorin privat, dhe të ardhurave të disponueshme  të punësuareve  për një standard më të lartë të qytetarëve tanë, do të angazhohemi që për kompanitë të cilat rritin pagat për të punësuarit e tyre në mbi 500 euro në muaj, Tatimi mbi të Ardhurat e Korporatës të jetë nga 10 % sa është aktualisht, në 5 % në qeverinë tonë.

    e) Do të rriten pagat ekzistuese në mesatare prej 30 % për të gjithë zyrtarët në sektorin publik, përmes rregullimit të ligjit për paga. Do të rregullohen kualifikimet adekuate të pozitës së punës sipas përvojës dhe kualifikimeve profesionale. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark