Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj kronikave televizive të Klan Kosova dhe T7 me të cilat u mbulua vizita e saj në Gjilan, të mërkurën.
Aty thuhet se demantohet raportimi lidhur me refuzimin e saj për të ndarë disa minuta bisedë me një të moshuar që e priste Osmanin për të biseduar me të.
Për ta dëshmuar versionin e vet, Presidenca ka dërguar edhe një video-incizim ku thuhet se ky veprim i mediave ka qenë me tendencë për tu dukur si anashkalim i të vërtetës.
“Në një storie të publikuar në Klan Kosova dhe T7, dhe të ritransmetuar nga disa të tjera, pretendohet që Presidentja Osmani gjatë vizitës në Gjilan e ka injoruar një të moshuar. Siç shihet në videoincizim, Presidentja është përshëndetur me të moshuarin, prandaj, tendenca për ta paraqitur këtë situatë si ’anashkalim’, është devijim i qëllimshëm i një të vërtete”, thuhet në demant.
Aty thuhet se Osmani ka zhvilluar një sërë takimesh me njerëz të profileve të ndryshme dhe ky është vetëm tentim për prishje të imazhit të Presidentes
Demanti vazhdon: “Presidentja Osmani gjatë vizitës në Gjilan është takuar me dhjetëra njerëz të profileve të ndryshme, ndaj ky ‘raportim’, nuk mund të shihet ndryshe, përpos si tendencë e mediave për dëmtim të imazhit të Presidentes. “Për më tepër, ekipi i Presidentes e ka takuar veçmas të moshuarin, i cili ka pretenduar t’i ketë disa “sekrete shtetërore për luftën ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë”, të cilat dëshironte t’ia prezantonte Presidentes”, thotë Presidenca në demant. Presidenca më pas pohon se vazhdon të jetë e hapur për bashkëpunim me mediat për raportim korrekt dhe të mbështetur në parime profesionale.