×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    President, cool po dokesh ama keq po ndihna

    Insajderi
    02 June 2016 - 18:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në nëntor të vitit të kaluar, kur i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për të drejtat e komunitetit LGBTI vizitoi Kosovën, me ç’rast u takua me kryeministrin Isa Mustafa, shkrova tregim të titulluar “Sikur kryeministri të ishte gej” nëpërmjet të cilit tregohet historia e një kosovari që gjithë jetën e tij e ka çuar duke bërë jetë të dyfishtë.

    E shkrova atë tregim për të treguar një jetë të rreme të një kosovari, për shkak se në këtë vend vetëm nëse rren, mund të jetosh i lirë, dhe në të njëjtën kohë, për të vënë në pah gënjeshtrën e një kryeministri karshi një personaliteti sikurse ai i Departamentit Amerikan të Shtetit, për kinse “kushtet qe shteti ia ka krijuar komunitetit LGBTI për të jetuar i lirë”.

    Të njejtën gjë, veçse në mënyrë tepër më të keqe ka gënjyer edhe presidenti. Për dallim prej kryeministrit, i cili kishte gënjyer për krijuar një imazh të mirë për vete para të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë, presidenti ka gënjyer para krejt botës (sepse opinioni i tij është publikuar në anglisht dhe në një medie ndërkombëtare) duke tentuar të krijoj një imazh të mirë për vete, si president që udhëheq parada.

    Dhe këtë nevojë për të treguar se është mendjehapur ai nuk heziton të gënjej në mënyrën më të pështirë të mundshme.

    Edhe pse këtë gënjeshtër e ka kamufluar në një paragraf të vetëm në krejt opinionin e tij, presidenti me apo pa qëllim bie në grackën e së vërtetës që ai nuk e njeh. Dhe s’ka sesi ta njoh sepse nuk e respekton. Nuk i han, shkurt e shqip.

    presi
    Presidenti qesh kur e pyesin nëse ka pasur ndonjë përvojë me ndonjë pjesëtar të komunitetit LGBTI.

    Presidenti thotë se Kosova “është i vetmi vend ballkanik që ka njohur të drejtat e komunitetit LGBT në kushtetutën e saj”.

    Siç thotë një thënie e një emisioni show biz “kjo është plotësisht e vërtetë”, por ka diçka që e përligj këtë të vërtetë: Ligji i Familjes, i cili është në nenin 24 të Kushtetutës që flet për “barazinë para ligjit” dhe nenin 37 “E drejta e familjes dhe martesës”.

    Pra, është e vërtetë që Kushtetuta nuk e përcakton gjininë për krijimin e familjes, por Ligji në të cilin ofiqarët bazohen kur lidhin kurorën e një çifti e përcakton qartë se martesa bëhet mes dy personave me gjini të kundërt.

    Kësisoj, president para se të shkruash se ju drejtoni një vend ballkanik që me Kushtetutë njeh të drejtat e komunitetit LGBTI është mirë që nëse përnjëmend beson në të drejtat e këtij komuniteti, ta ndërmarrësh iniciativën që të ndryshohet Ligji i Familjes.

    Por e di, që ti nuk guxon ta bësh këtë.

    Presidenti thotë “Unë udhëhoqa ‘Paradën e Krenarisë’ së komunitetit LGBT në Kosovë muajin e kaluar për të shënjuar mbështetjen tonë për këtë komunitet…”.

    Kjo është plotësisht e pavërtetë. Ti nuk e ke udhëhequr asnjë Paradë të Krenarisë. Ti ke qenë në një marsh në të cilin është titulluar “Dashuria jonë është kushtetuese”, në të cilin është marshuar kundër homofobisë të udhëhequra nga tri organizatat jo- qeveritare Cel KosovoCsgd Kosovo dhe QESh që punojnë për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të personave lezbike, gej, biseksualë, transgjinorë dhe interseks (LGBTI) të cilat po nga ju dhe institucionet tjera kanë kërkuar më shumë punë, për të luftuar homofobinë që është në shkallë të lartë në këtë vend.

    Dhe atë edhe nga njerëzit me të cilët ju punoni. E ndoshta edhe nga vet ju.

    Unë kam qenë në atë marsh President. Dhe ta kam parë qëndrimin dhe fytyrën tënde të ngrysur e nervoze përgjatë marshimit krah për krah me ambasadorin amerikan dhe atë britanik.

    Të kam parë edhe sesi me të mbërritur tek Sheshi Zahir Pajaziti, e ke lënë në gjysmë marshimin duke mos e përfunduar.

    Nuk e di pse e ke bërë këtë por ka mjaftuar për të shpërfaqur faktin se ai marshim për ju ka qenë poen politik dhe jo pse ju jeni i lidhur ngushtë me kauzën e të drejtave të këtij komuniteti.

    thuacilgbt

    Por nuk ka rëndësi për çfarë arsye e ke bërë atë marsh, ashtu sikurse nuk është e rëndësishme që ti ke marrë pjesë kur në vendin që ti e drejton, komuniteti LGBTI është komuniteti më i shkelur dhe më i urryer.

    Dhe ju bashkë me të gjithë të tjerët, nuk keni bërë asgjë për ta ndrequr këtë imazh.

    Tutje president ju thoni se more pjesë në atë marsh “pikërisht për t’i treguar qytetarëve tonë dhe botës më gjerë se ekstremizmi dhe paragjykimet nuk kanë vend në mesin tonë”.

    Kjo nuk është aspak e vërtetë. Është rrenë e madhe.

    Në vendin që ju e drejtoni, president ekstremizmi dhe paragjykimet janë gjëja kryesore që e përbëjnë këtë shoqëri që gati ka kapërcyer në një shoqëri të sëmurë.

    Dhe fajet për këtë i keni ju, duke qenë se vetë krenoheni që e keni drejtuar Kosovën qysh prej Rambujes e deri më tani.

    Çka është prodhuar në këtë shoqëri, duke filluar prej ekstremizmit e deri tek paragjykimet janë mundësuar nga sistemi politik, ekonomik, shoqëror e kulturorë që e keni krijuar ju bashkë me të gjithë të tjerët.

    preski

    President, e kuptoj nevojën tënde për t’u treguar një politikan a një lider a çfarëdo qoftë që dëshiron të bëhesh (sepse me të thënë të drejtën prej jush pres gjithçka) por të lutem tjetër herë zgjedhe një komunitet tjetër mbi të cilin do të shkelësh pa fije turpi për t’u dukur mendjehapur, evropian, laik apo çfarëdo që dëshiron të krijosh si ide për të tjerët, mbi ju.

    Zgjedh ndonjë temë tjetër, sepse kjo “Kosova e vogël” që i referohesh në opinionin tënd, ta qet gënjeshtrën në lëndinë menjëherë sa i përket komunitetit LGBT.

    Janë me qindra jo kosovar që vizitojnë Kosovën e Prishtinën cdo ditë. Dhe shumë prej tyre i përkasin komunitetit LGBTI.

    Ata vijnë në Kosovë dhe nuk ka për shembull asnjë lokal “gay friendly” sepse ia kallin tjerët. Ata vijnë në Kosovë dhe e vetmja mënyrë për t’u takuar me të tjerë pjesëtar të komunitetit janë ose rrjetet sociale ose vizita në ndonjë prej atyre organizatave të cilat veç për këtë arsye kanë mbetur.

    Mos rrej sepse votuesit e juaj nga ky komunitet i dinë të vërtetat e jetës së tyre të tmerrshme në vendin që e udhëhiqni.

    Së paku pranoje të vërtetën dhe puno për këtë komunitet, nëse vërtet ta ndinë. Nëse vërtetë dëshiron të jesh një udhëheqës i Paradës së Krenarisë.

    Sepse deri më tani je një udhëheqës i Paradës së Turpit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark