Presidente, topi tek ju - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Presidente, topi tek ju

    Insajderi
    23 April 2025 - 21:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kosova po kalon një situatë institucionale të pazakontë, por jo të paprecedent. Një bllokadë e ngjashme ka ndodhur edhe në vitin 2014, kur për gjashtë muaj me radhë nuk arriti të zgjidhet Kryetari i Kuvendit.

    Shkruan: Doruntinë Meha

    Kjo gjendje e papërcaktuar po shndërrohet sërish në bllokadë, pasi Kushtetuta – konkretisht neni 67, paragrafi 2 – përcakton që Kryetari i Kuvendit zgjidhet në seancën e parë, por nuk cakton ndonjë afat për përfundimin e këtij procesi.

    Në mungesë të një afati të qartë, institucionet janë lënë në mëshirën e vullnetit politik, çka po rrezikon jo vetëm funksionalitetin e Kuvendit, por edhe parimin e vijimësisë së institucioneve demokratike.

    Cila është zgjidhja?

    Në këtë situatë, është legjitime dhe e domosdoshme që Presidentja e Republikës ta ushtrojë kompetencën e saj nga neni 84 pika 9 e Kushtetutës dhe t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për interpretim.

    Pyetjet që mund të shtrohen janë këto:

    1. “A lejohet dhe a jep hapësirë neni 67 pika 2, përcaktimi i një afati kushtetues ose praktik për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit pas konstituimit të tij, në mënyrë që të shmangen zvarritjet dhe bllokimi i funksionimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera kushtetuese?”

    2. “Në rast se Gjykata përcakton një afat të tillë dhe ai nuk respektohet nga subjekti i parë me të drejtë propozimi, a mund të kalojë e drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit tek subjekti i radhës, sipas përfaqësimit parlamentar – në analogji me rastin e mandatarit për Qeverinë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. K014/14?”

    Një praktikë e tillë tashmë ekziston. Në vitin 2014, Presidentja Jahjaga i kërkoi Gjykatës Kushtetuese interpretim për afatet dhe mënyrën e caktimit të mandatarit të dytë për formimin e Qeverisë. Gjykata dha një interpretim thelbësor që sot shërben si precedent.

    Në këtë kontekst, roli i Presidentes bëhet vendimtar – garantues i funksionimit të institucioneve dhe ruajtëse e rendit kushtetues, për të shmangur paqartësitë dhe bllokadat e mëtejshme.

    Kushtetuta nuk ka përgjigje për gjithçka – prandaj ekziston Gjykata Kushtetuese. Dhe për këtë rast, topi është sërish në fushën e Presidencës.

    P.s. Pyetja duhet të parashtrohet shpejte dhe pa vonesapërpara se Gjykata Kushtetuese të rrezikojë humbjen e kuorumit dhe pamundësinë për të dhënë një interpretim.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark