Dje presidenti i Federatës së Sportit të Serbisë i ka dërguar letër Presidentit të UEFA-së, në të cilën ka thënë se institucionet e Kosovës kanë ushtruar presion tek klubet futbollistike që gjenden në Kosovë.
Në lidhje me këtë sot ka reaguar ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku i cili ka thënë se letra ka qenë e karakterizuar me shtrembërime të realitetit dhe gjuhë fyese.
Çeku ka deklaruar se nëpërmjet saj është shkelur marrëveshja e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Serbia vazhdon me veprime dëmtuese ndaj Kosovës, në shkelje të plotë me mirëbesimin si bazë e marrëveshjes së fundit në procesin e dialogut. Marrëveshja e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga BE, veç tjerash, parasheh marrëdhënie të barabarta dhe të fqinjësisë së mire”, ka thënë ministri.
Tutje, ai i ka ftuar klubet serbe të bëhen pjesë e sistemit legjitim të sportit në Kosovë.
“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Federata e Futbollit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e UEFA dhe FIFA. U bëjmë thirrje të gjitha klubeve të sportit të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv të Kosovës”, ka deklaruar Çeku.